Nga Amelie Revert/

Në 8 nëntor, amerikanët do të zgjedhin pasardhësin e Barack Obamës në Shtëpinë e Bardhë. Pas tetë vitesh në pushtet, cili është bilanci i dy mandateve të presidentit në largim të SHBA-së?

 

Nga Amelie Revert

 

Së bashku, ne do ta shndërrojmë këtë vend dhe do të shndërrojmë botën.” Me këto fjalë, të prononcuara gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të 2008, Barack Obama, kandidati i Partisë Demokrate, u premton bashkëatdhetarëve një shpresë të re. Në 4 nëntor, ai zgjidhet presidenti i 44 i SHBA-së me 53% të votave. Ai që është edhe (e sidomos) i pari president afro-amerikan trashëgon një vend në kulmin e krizës financiare, më e rënda që nga tërmeti i bursës së 1929.

Barack Obama do të qëndrojë tetë vjet në krye të fuqisë së parë botërore. Sipas një sondazhi të Washington Post-ABC News të qershorit 2016, ai po largohet nga Shtëpia e Bardhë më popullor se kurrë, 56% e opinionit është në favor të tij.

Rezultatet social-ekonomike

Me t’u zgjedhur, në fillim të 2009, Barack Obama nis reformën e sistemit shëndetësor. Ai kërkon të subvencionojë sigurimin shëndetësor për më të varfërit me qëllim që t’u mundësojë të gjithë amerikanëve të përfitojnë mbrojtje sociale. Kjo masë është premtimi i tij më ambicioz gjatë fushatës, përderisa shumë presidentë, i fundit Bill Clinton, dështuan ta vënë në jetë.

Patient protection and Affordable Care Act”, “Obamacare” u miratua nga Kongresi në mars 2010, pas muaj debatesh dhe kundërshtimesh në shoqërinë civile dhe klasën politike. Sot, rreth 20 milionë njerëz gëzojnë mbulim shëndetësor falë këtij ligji. Por nga ana tjetër, “Obamacare” solli rritjen e çmimit të siguracioneve private çka penalizon familjet me të ardhura modeste. Në 2015, sipas U.S. Census Bureau, 9,1% e popullsisë amerikane vazhdon të mos ketë siguracione shëndetësore.

Me një plan rimëkëmbje ekonomike drastike prej 790 miliard dollarësh i vënë në jetë në 2009, pa mbështetjen e republikanëve, Barack Obama ia del ta ulë nivelin e papunësisë nën 5% (4% në gusht 2016). Ai po e lë pushtetin duke e çuar rritjen ekonomike të SHBA-së në një nivel pozitiv prej 2,4% në 2015. Në 2009, 10% e popullsisë aktive ishte e papunë dhe vendi po vuante recensionin më të egër në historinë e tij (-2,8%).

Pavarësisht nga këto masa, pabarazitë e pasurisë janë fashitur paksa. Në 2015, në një popullsi totale prej 321,4 milion banorësh, rreth 43 milion amerikanë jetojnë ende nën pragun e varfërisë sipas Censusit. Që do të thotë, 3,5 milion njerëz më pak se në 2014, ose përmirësimi më i mirë që nga 1999. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, SHBA mbetet një nga vendet ku dallimi midis të pasurve dhe të varfërve është më i theksuar.

Një dhunë e kudondodhur

Në fund të 2012, kur sapo rizgjidhet, Barack Obama duhet t’i bëjë ballë kasaphanës së Newton-it në Connecticut, në të cilën u vranë me armë zjarri njëzet fëmijë dhe shtatë të rritur. Kjo tragjedi e detyron të hapë debatin tejet të ndjeshëm mbi armëmbajtjen, që ndërkaq është e garantuar nga amendamenti i dytë i Kushtetutës së SHBA. Për kujtesë, 30.000 njerëz vdesin nga plumbat çdo vit në SHBA.

Presidenti shpreson të forcojë kontrollin për pajisjen me armë zjarri por Kongresi, me mazhorancë republikane dhe i mbështetur nga National Rifle Association (NRA) dhe Gun Owners of America (GOA), lobet e fuqishme të armëve të zjarrit, e hedh poshtë projektligjin e senatorit Joe Manchin në 17 prill 2013. “Një ditë e dhimbshme për Uashingtonin”, deklaron me trishtim Barack Obama. Duke nënshkruar dekrete të shumta nga janari 2013 dhe 2016, ai vendos ta fusë në kuadër ligjor shitjen e armëve të zjarrit. Megjithatë, këto vendime ka rrezik të anulohen në çdo moment nga pasardhësi i tij.

Mandati i dytë i Barack Obamës është shënjuar gjithashtu nga vrasje të shumta raciste të kryera nga policë apo njerëz të çekuilibruar. Trayvon Martin, Michael Brown, kasaphana e Charlestonit… Këto ngjarje kristalizuan tensionet raciale. Përballje të dhunshme shpërthejnë midis forcave të rendit dhe manifestuesve, si në Ferguson (Misuri) dhe në Baltimore (Merilend), duke u pasuar nga gabime të shumta të policëve.

Presidenti deklarohet gjithësesi optimist për vendin e të zinjve në shoqërinë amerikane. Ai deklaron në dokumentarin e Norma Pery “Vitet Obama”: “Fakti që vëmendja është fokusuar në mënyrën se si janë trajtuar të zinjtë nga Policia mund t’i japë njerëzve përshtypjen se marrëdhëniet ndër racore janë degraduar. Në të vërtetë, këto probleme midis sistemit gjyqësor dhe afroamerikanëve datojnë që nga skllavëria. Ata që mendojnë se situata është më keq se në vitet 50, 60, 70 nuk kanë jetuar si afro-amerikanë në ato vite.

Gjembi Guantanamo

Barack Obama dëshiron të mbyllë burgun ushtarak të Guantanamos. Ai i është vënë me vendosmëri qëkurse mbërriti në Shtëpinë e Bardhë në 2009. Në atë kohë, 240 të burgosur të “luftës kundër terrorizmit” – e ndërmarrë nga George W. Bush në 2002 pas 11 shtatorit –  janë mbyllur dhe torturuar me qëllim për t’u marrë informacione. Edhe kësaj here ai do të përplaset me Kongresin i cili e gjykon si të rrezikshme transferimin e të burgosurve.

Gjatë fushatës së 2012, Barack Obama përsërit të njëjtin premtim për mbylljen e burgut të Guantanamos, i kritikuar në mënyrë të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare për mosrespektim të të drejtave të Njeriut. Gjashtëdhjetë individë janë ende të burgosur aty sipas Pentagonit. “Unë nuk jam i gatshëm të heq dorë”, deklaron ai në 8 shtator 2016. Kur kanë mbetur edhe katër muaj nga përfundimi i mandatit të tij, a do t’ia dalë dot ai ta mbajë premtimin?

Lindja e Mesme: kaosi

Në 10 dhjetor 2010, Barack Obama merr Çmimin Nobel për Paqen në Oslo. Por ai që kërkon ta nxjerrë ushtrinë e tij nga luftrat në Irak dhe në Afganistan duhet të bëjë kompromis me Pranverën Arabe që nga 2011. Ndryshe nga fqinjët e tij, diktatori sirian Bachar al-Assad refuzon ta lërë pushtetin. Opozita organizohet. Rendi relativ i Lindjes së Mesme është trazuar. SHBA, që mbështet rebelimin, tenton të zgjidhë konfliktin me rrugë diplomatike, më kot.

Duhej pritur shtatori 2014 dhe ngjitja e rrufeshme të grupit Shteti Islamik në Irak dhe në Siri që forcat ajrore amerikane të nisin të bombardojnë bastionet xhihadiste, konkretisht qytetin sirian të Raqqa-s. Dy vjet më vonë, lufta në Siri thellohet dhe nuk po gjen rrugdalje. Mbi 84.000 civilë, nga të cilët 14.711 fëmijë, kanë vdekur që nga fillimi i konfliktit.

Suksesi më emblematik i administratës Obama në Lindjen e Mesme është ekzekutimi i armikut publik numër 1: Osama Bin Laden, kreu i grupit xhihadist i Al-Kaeda dhe ideatori i atentateve të 11 shtatorit. Në 1 maj 2011, presidenti njofton gjatë një fjalimi televiziv se terroristi sapo ishte vrarë gjatë një operacioni amerikan në Pakistan. Shpërthejnë skena gëzimi kolektiv. Amerikanët festojnë.

Ndërsa trupat amerikane u tërhoqën nga Iraku në dhjetor 2011, në Afganistan vazhdojnë të jenë ende. Barack Obama nuk mund ta mbajë fjalën. Ai e gjykon situatën aktuale në vend tepër të paqendrueshme për të nisur një tërheqje përfundimtare brenda një kohe të shkurtër.

 Afrime diplomatike

Disa ditë përpara Krishtlindjeve 2014, Barack Obama dhe Raul Castro njoftojnë në të njëjtën kohë normalizimin e marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Havanës. Pas muajsh negociatash të fshehta, dy vendet i japin kështu fund një embargoje që daton që në 1961. Në 20 mars 2016, familja Obama e konkretizon këtë njoftim dhe shkon në Kubë. Eshtë fjala për udhëtimin e parë zyrtar të një presidenti amerikan në detyrë që prej 88 vjetësh. Në 31 gusht, faqja prej 55 vjet grindjesh është kthyer përfundimisht me ngritjen e avionit të parë tregtar që do të lidhë Floridën me ishullin karaibean.

Në 14 korrik 2015, një marrëveshje historike për përdorimin e energjisë bërthamore për nevoja civile u nënshkrua midis Iranit nga njëra anë, dhe SHBA-së, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Rusisë dhe Kinës, nga ana tjetër. Pas dymbëdhjetë vjet negociatash, Teherani ia doli më në fund të sigurojë heqjen e sanksioneve kundër tij. Amerika e Obamës përgëzon veten. Miku i saj Izraeli është i pakënaqur.

Diplomacia amerikane rimerr veten, sukseset e saj gjatë ushtrimit të pushtetit të Obamës janë të kursyera.

Dështim në reformën e emigracionit

Në këto javë të fundit në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama po provon një xhaketë të kthyer, serioze. Në 3 tetor 2016, Gjykata e Lartë konfirmon bllokimin e dekreteve të tij të shpallura në fund të 2014, pas bllokimit sistematik të reformës së tij për emigracionin nga republikanët e Kongresit. Këto dekrete kanë të bëjnë me rregullimin ligjor të pesë milionë klandestinësh, shumica hispanikë, për t’i pajisur me leje pune. Në këtë moment, 11 milion emigrantë pa dokumenta jetojnë ilegalisht në territorin amerikan.

Në dhjetor 2010, edhe projektligji DREAM Act, që synon zhvillimin, ndihmën dhe shkollimin për të miturit e huaj, u hodh poshtë nga Kongresi. Që në garën e tij të parë për në Shtëpinë e Bardhë në 2008, Barack Obama e bën megjithatë emigracionin kalin e tij të betejës. Kështu e fiton ai mbështetjen e bashkësisë latine, elektorat i pashmangshëm për të fituar zgjedhjet në SHBA.

Emigracioni mbetet pra një çeshtje e pazgjidhshme e fushatës presidenciale të 2016. Dhe pozicionimet e Partisë Republikane dhe Demokrate janë në antipode. Konservatori Donald Trump do të ndërtojë një mur midis SHBA-së dhe Meksikës dhe premton një “filtrim jashtë mase të fortë të emigrantëve” nëse zgjidhet ai. Hillary Clinton, inkurajon marrjen e shtetësisë dhe pozicionohet në favor të bashkimit familjar.

Në “Vitet Obama”, Barack Obama i pohon Norma Percy-t frustrimin e tij për dështimin e reformës së tij për emigracionin. Ai duket gjithësesi i kënaqur për tetë vitet e kaluara në krye të eksekutivit amerikan: “Të gjitha këto elemente janë kalldrëmi që kemi shtruar në rrugën që çon në një bashkim më të përkryer. Rruga është ende e gjatë. Por unë jam i bindur se në planin e drejtësisë dhe të barazisë jemi më të favorizuar sot sesa në fillimet e mia”.

/ Veritas.com.al/