Në procesin e negociatave mes 2 palëve të Partisë Demokratike, në tryezë nuk ka asnjë kërkesë për tërheqjen e padisë në Apel për vulën e partisë dhe as për çështjen ‘Non Grata’. Deputeti i PD-së, njëherazi edhe negociatori nga grupi i Alibeajt, Gazment Bardhi tha se kanë diskutuar me Edi Palokën vetëm për zgjedhjet vendore të 2023. Deri më tani kanë bërë vetëm një takim dhe ende nuk e kanë gjetur një gjuhë të përbashkët se cila do të jetë rruga për të dalë me një kandidat në zgjedhjet e 14 majit.
“Nuk ka asnjë kërkesë që ne të tërheqim padinë në Apel për vulën e partisë. As ‘Non Grata’ nuk ka kërkesë, nuk kemi ndryshuar mendim për çështjet që na ndajnë. Kemi fokus zgjedhjet, nuk kemi shkuar me asnjë kusht dhe Paloka nuk ka ardhur me asnjë kusht, Bisedimet janë përqendruar te zgjedhje lokale, te rruga se si mund të shkojmë në këto diskutime. (…)Nuk kemi gjetur një rrugë të përbashkët për të dalë për përzgjedhjen e kandidatëve”, tha Bardhi.
Gjate nje emisioni ne Report Tv, Bardhi këmbëngul që Sali Berisha nuk është e ardhmja e PD-së e aq më tepër e Shqipërisë, duke thënë me bindje se dhe nëse Apeli do i jap të drejtë, ai kurrsesi nuk do e mbeshtësë. Lidhur me zërat për krijimin e një partie të re nga ana e Lulzim Bashës, i cili tashmë duket se po qëndron në hije, Bardhi sqaroi se ai kurrsesi nuk do të bëhet pjesë e një iniciative të re politike, që shkon përtej PD-së zyrtare.
“Unë nuk mund të dal në 2025 duke thënë se kandidati ynë për kryeministër është Sali Berisha unë nuk e bëj dot, edhe nëse gjykata i jep të drejt, prape nuk do e bëja, se unë nuk e besoj as vetë. Nuk përfshihem në asnjë iniciativë për asnjë parti tjetër”, shtoi deputetit.
Ndalur te akuzat e mbërritura nga Berisha, për votën e dhënë ‘pro’ ligjit për hapjen e dosjeve, në Report Tv, Bardhi dha argumentet e tij pse ishte dakord.
“Unë kam dëgjuar Ballën që thotë Meta është spiun dhe Meta thotë jo, dhe unë besoj Metën, si mund të hedh unë në hedhë një kauzë të PD për Ballën, të votosh apo të mos votosh një ligj, duhet ta marrë vendimin se çfarë përmban ligji”, tha Bardhi në ‘Kontrast’.
Në një kohë kur PD-ja flet për bashkim e ka nisur negociata, presidenti Bajram Begaj dekretoi 14 majin si datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore për 2023, dhe demokratët ende nuk kanë dalë me një zgjidhje se si do të hyjnë në këtë garë.