Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit ka rikonfirmuar se nuk do të ketë një mbledhje të Kuvendit të PD-së, sic eshte thene nga Sali Berisha.
Duke replikuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ai ka theksuar se “demokratët nuk do të kthehen pas”.
“Mua do të më kesh përballë dhe jo Sali Berishën, mua që të munda në 2011”, tha Basha drejtuar Ramës.
Në këtë mënyrë ai ka theksuar se, PD-ja nuk do të ketë një kryetar tjetër për momentin.
Sa i përket akuzave të Ramës për mostakim të demokratëve nga ana e Bashës, ky i fundit i ka kujtuar Ramës foltoren.
“ E ke hallin te PD-ja? Thuaj më ka marrë malli për Sali Berishën dhe Ilir Metën. Shko edhe ti në foltore dhe bëni trekëndëshin Bermudës”, ka finalizuar Basha deklaratën e tij.
Më 26 tetor, Berisha shpalli kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Partisë Demokratike.
“Natyrisht që do hapim një garë, në të cilën garantoj se çdo njeri që do hyjë në atë garë, do ketë një garë të lirë. Natyrisht, njëri prej tyre do të jetë dhe Sali Berisha”, vetëdeklaroi Berisha.
Më pas, ai u bëri thirrje demokratëve që të mbledhin firmat për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së.
Deklarata e Bashës
Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, në një konferencë me drejtues të PD-së, Grida Duma dhe Gazment Bardhi, të shtunën e 23 tetorit, ravijëzonte se ish-kryetari Sali Berisha nuk mund të dalë mbi statutin.
“Sali Berisha nuk ka ndonjë fuqi për të thirrur asnjë institucion të partisë. Partia ka institucionet e saj. Berisha mund të thërrasë institucione paralele, në përpjekje për ta bërë partinë e tij bunker”.
Ai theksoi se e ka thirrur Kuvendin dhe do ta thërrasë, por vetëm për çështje statutore.