Koment/

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shpalosur filozofinë e lëvizjes së tij politike për shpronësimin e të pasurve dhe shpërndarjen e pasurisë te varfanjakët… Këtë ide e ka manifestuar gjatë vizitës në fshatin Bubq të Krujës ku akoma ka pasoja nga tërmeti i 26 nëntorit dhe ku banorët po kërkojnë më shumë ndihma nga shteti.

Basha e ka sharë qeverinë deri në themel, gjë që është e zakonshme në çdo takim të opozitarëve me popullin. Por kësaj here ka këmbëngulur që qeveria t’u marrë paratë të pasurve dhe tua japë të varfërve, si për shembull në Bubq.

‘Kjo qeveri as bandë nuk është…’ ka thënë Basha.

‘’ Kam një muaj që i them hiqu lekët oligarkëve. Mjaftojnë ato për të zgjidhur problemin në të gjithë zonën rurale dhe pjesën më të madhe të zonës urbane të goditur nga tërmeti, tha Basha.

“Dështimi për t’u ardhur në ndihmë njerëzve është tërmet i korrupsionit dhe i babëzisë. Është korrupsion. Mos t’u vish në ndihmë njerëzve është krim dhe korrupsion, kurse ndarja e njerëzve në të nënës e të njerkës është krimi më i shëmtuar. Tregon që këta kanë marrë fund, vetëm qeveri nuk janë më. As bandë nuk janë më. Këta janë të pashpirt”, – theksoi zoti Basha, duke treguar rrugën e zgjidhjes nga një qeveri e përgjegjshme.

“Po ta kishin marrë këtë punë seriozisht, dy gjëra do t’i kishin bërë. E para, çadrat në fillim janë të pashmangshme. Pas kësaj, merrnin masa për strehim të përkohshëm me kontenierë dhe pastaj paratë në dorë, në bazë të dëmit, që ju t’i ndërtoni vetë, sepse, përndryshe, nuk i dilet kësaj pune. Kam një muaj që i them hiqu lekët oligarkëve. Mjaftojnë ato për të zgjidhur problemin në të gjithë zonën rurale dhe pjesën më të madhe të zonës urbane të goditur nga tërmeti. Sillet e përdridhet me justifikime. Vetëm llafe, vetëm mashtrime, vetëm gënjeshtra për të fshehur dështimin.“- tha zoti Basha, i cili shprehu bindjen se e vetmja zgjidhje që zgjidh problemin, është largimi i kësaj qeverie.

Veritas.com.al/