Kryetari i PD, Lulzim Basha,  i ftoi qytetarët të bashkohen me protestat e opozitës për t’i dhënë fund ‘sundimit mafioz të Edi Ramës’, siç tha.

Kryetari i Partisë Demokratike la për të nënkuptuar se ‘sot nis turi’ por që do të përshkojë gjithë vendin. Ai nisi nga zona periferike e Tiranës, e quajtur Kombinati. Para tre dekadash zona quhej me krenari “Kombinati Stalin”.

“Kjo situatë është e paqëndrueshme. Kjo nuk mund të zgjasë më. Politikisht, ky do të jetë viti i fundit i zullumit, Edi Rama  dhe banda e tij e kanë vulosur fatin e tyre. Përballje totale në të gjitha frontet dhe protestë pa pushim deri në largimin  dhe mundjen përfundimtare të së keqes.”- tha Basha

“Nuk ka prokuror të përkohshëm, nuk ka prokuror pa vetting, nuk ka prokuror politik që shpëton Sajmir Tahirin nga drejtësia- tha ai- duke folur mbi momentin e zgjedhjes së prokurorit të Përgjithshëm. “Mbajeni mend, shënojeni dhe ndajeni këtë lajm, këtu, në zonën e tij elektorale me çdo qytetar. Sajmir Tahiri, nuk do t’i shpëtojë drejtësisë, sikundër fati i shefit të tij politik është i vulosur”.-tha Basha.

Veritas.com.al/