Kreu i PD, Lulzim Basha foli mjaft ashpër ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, për akuzat qe ky i fundit i ka bere për përvetësim bashkë me kryeministrin Rama të 800 mijë metër katror tokë në Portin e Durrësit. Deklaratat e Bashës vijnë nga Durrësi ku ishte në një takim me tregtarët, i shoqëruar nga kandidati i PD-së për këtë bashki më 6 mars, Luan Hoti.
Basha tha se ka sharlatanë që ecin në politikë vetëm përmes gënjeshtrave. Kreu i PD thekson se akuzat e Berishës janë një gënjeshtër e pastër dhe sipas tij PD ka kërkuar fuqimisht për transparencë në projektin e Portit të Durrësit, të cilin e konsideron një aferë korruptive.
“Thonë se do investojnë 3 miliardë, ne duam të shohim 6 apo 8 të investohen, nuk jemi kundra investimeve. PD është pro zhvillimit. Kjo punë s’bëhet duke sjellë një sheik, kërkojmë transparencë për këtë aferë. Politika ka humbur fytyrën njerëzore dhe ka uzurpuar institucionet, institucione e uzurpuara nga politika nuk mund t’i shërbejnë ekonomisë. Është ngritur një gënjeshtër sikur PD dhe PS, në veçanti unë dhe i pari i qeverisë kemi pakt për Portin e Durrësit. Kjo është një gënjeshtër e pastër.”-tha Basha.
Kreu i PD tha se gojët e politikanëve janë të mbushura me mjaltë kur vjen fushata, por gjërat janë të vështira për t’u bërë. Ndër të tjera Basha theksoi se PD po tejkalon një pjesë të së shkuarës, duke iu referuar krisjes brenda selisë blu dhe ndarjen e demokratëve si të Bashës e Berishës. Kreu i PD deklaroi se nuk do t’i ikin përgjegjësive.
“PD është në një moment ku po kapërcen vetveten, po tejkalon pjesë të së shkuarës për të cilat nuk i ikën përgjegjësive, por përpara shqiptarëve do ndërtojë një kulturë të re, dhënien e një fytyre njerëzore politikës. Durrësi iu nënshtrua interesave afatshkurtra politike.”-tha Basha.
Ndërsa kandidati i PD për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në Durrës, Luan Hoti, deklaroi se ka në fokus të programit të tij pastrimin e qytetit, turizmin dhe infrastrukturën urbane.