Kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha, në fjalën e tij gjatë takimit me anëtarët e Kryesisë së PD-së, ka theksuar se “11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD-së, në ditën e izolimit të PD-së”.

Pas deklaratës së ish-liderit historik, Sali Berisha, se Kryesia e Partisë Demokratike është ilegjitime, kryedemokrati Lulzim Basha e ka konsideruar thirrjen e Kuvendit nga Berisha si “kundërvënie e një pjese të vogël të PD-së kundër Shteteve të Bashkuara”.

“E thirra këtë mbledhje për të diskutuar dhe marrë së bashku një vendim shumë të rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e Partisë Demokratike”, tha Basha.

Duke iu kthyer çështjes “Sali Berisha”, numri një i selisë blu nënvizoi se, prej dy muajsh, ky i fundit ka vijuar një aksion që nuk ka lidhje me Partinë Demokratike.

Basha ka përsëritur se Berisha ka vendosur “që një problem të tij personal me SHBA-të, t’ia imponojë partisë si problem të PD-së”.

“Njoftimi i një miting-u më datë 11 dhjetor, ngjan më shumë si një nevojë për t’i kundërvënë një pjesë të vogël të Partisë Demokratike, aleatit tonë më të rëndësishëm strategjik SHBA”, vijoi Basha gjatë fjalës së tij.

Nga foltorja e Lezhës, më 29 tetor, Berisha bëri me dije se ka ndër mend që Kuvendin Kombëtar ta thërrasë më 11 dhjetor. Qëllimi tha ai: do të jetë rrëzimi i vendimit të Bashës mbi përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në PD.

Sipas kryedemokratit, “Berisha mund t’i shpallë edhe luftë nëse dëshiron, por nuk e bën dot as në emër të demokratëve, as në emër të PD”.

“PD-ja nuk mund të funksionojë me struktura paralele. Vetëm Vuçiç në Kosovë kërkon struktura paralele dhe Dodiku në Bosnjë”, tha Basha më tej.

Sa i takon përfshirjes së disa figurave të dyshimta në PD, kryedemokrati ka sqaruar se këta të fundit kërkojnë të vijojnë aferat e tyre korruptive e kriminale brenda partisë “siç kanë bërë e bëjnë me PS-në e Ramës”.

“Disa të tjerë, që presin të shpallen non grata, u intereson kjo përplasje për të mbrojtur veten e tyre”, shtoi kryedemokrati.

Për numrin një të demokratëve, “PD-ja do të përqendrohet tek ajo që kemi marrë përsipër: t’u prijmë demokratëve drejt qeverisjes së vendit, të mundim të vetmin kundërshtar që kemi, Edi Ramën, dhe të krijojmë një të ardhme për shqiptarët”.

Gjatë mbledhjes me anëtarët e Kryesisë së PD-së, kryedemokrati bëri me dije edhe rendin e ditës, më 18 dhjetor të Kuvendit legjitim, bazuar në tri pika:

I. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike.

“Ne nuk do të lejojmë që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD-së”, tha Basha, dhe “agjendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës”.

II. Miratimi i i Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci.

Kjo tha kreu i selisë blu për “rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës”.

Basha tha se ky i fundit është në aleancë “me krimin e organizuar dhe korrupsionin”, duke shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe nxitur braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.

III. Miratimi i programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme.

Sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.