Kryetari i PD Lulzim Basha ka “nxirë” zgjedhjet e 25 prillit në sy të Komisionerin e BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Në takimin disa minutësh që kreu në dhomën VIP të aeroportit të Rinasit, Basha ka deklaruar se janë vjedhur votat dhe se qeveria ka bashkëpunuar me krimin dhe persona të listës së zezë të SHBA-së për të manipuluar procesin zgjedhor.
Kryedemokrati ka vijuar akuzat e tij në drejtim të Policisë së Shtetit që tha se u vu në shërbim të Shtetit, e ndërsa nuk ka kursyer as Prokurorinë, që thotë se nuk ka bërë asnjë hap për denocimet e PD.
“Zoti Basha e njohu komisionierin me manipulimet masive që i janë bërë procesit zgjedhor, përmes shitblerjes së votës, përdorimit të personave me precedentë kriminal, përdorimit të paligjshëm të administratës, vjedhjes dhe përdorimit kriminal të të dhënave personale të shtetasve nga PS, përdorimit të paligjshëm, masiv dhe sistematik të parave të buxhetit të shtetit për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve si dhe përdorimin e legalizimeve për vota. Fushata e tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u drejtua nga kupola drejtuese qeveritare në bashkepunim nga persona qe jane nen hetim per bashkëpunim me krimin e organizuar, dhe personave në listën e zezë të SHBA, fëmijë dhe të afërm të personave që u nxorrën jashtë nga ligji i dekriminalizimit janë tashmë pjesë e listës së deputetëve të PS. PD dhe kandidatët saj – bëri të ditur zoti Basha – kanë depozituar në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve rreth 180 kallëzime për të cilat nuk ka patur asnjë veprim ndalues apo parandalues edhe pse ato janë depozituar muaj para datës së zgjedhjeve. Policia e shtetit në shume raste është përfshirë në mbrojtjen kontigjenteve të blerjes së votës si dhe ka fshehur, tjetërsuar dhe manipuluar fakte flagrante ku persona me precedent janë përfshirë në operacionin kriminal të blerjes së votave dhe shantazhimit të votuesve”, thuhet në njoftimin të shpërndarë nga zyra e shtypit të selisë blu.
Më herët, në fjalimin që mbajti me kryeministrin Edi Rama, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi tha se pret rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, megjithatë e bëri të qartë se pa një parlament të plotë nuk mund të ecet drejt BE-së. Nga Rinasi, pasi solli sot në Shqipëri rreth 5 mijë doza vaksinash Pfizer, Varhelyi vuri theksin në 2 pika të rëndësishme, hetimin e autoriteteve për pretendimet e vjedhjes së votës si edhe fillimin e punës nga Kuvendi për zbatimin e reformave që janë vendimtare për çeljen e rrugës Europian të vendit.
VERITAS.COM.AL