Bashkimi Evropian thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe jashtë dialogut të Brukselit.

Sipas tyre, çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë, ndërmjetësuesin e BE-së si dhe të jetë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015. Përkitazi me këtë, në unionin evropian kërkojnë nga ekzekutivi kosovar që pa vonesa ta dërgojnë draft-statutin e Asociacionit, të hartuar nga BE-ja në Gjykatën Kushtetuese.

Një ditë pasi kryeministri Albin Kurti tha se nuk mund të bëjë asociacione të komunave në cilësinë e shefit të qeverisë dhe se iu takon komunave të bëjnë asociacionin, në BE thonë se Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë qëndrim të Bashkimit Evropian, mirëpo deri në momentin e publikimit të tekstit nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, njohësit e procesit të dialogut thonë se pavarësisht presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, një gjë e tillë nuk pritet të ndodh. Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti nuk do të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese pa përfunduar zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi një gjë e tillë do të ndikonte në humbjen e votave në zgjedhje.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë për KosovaPress se kryeministri Albin Kurti duhet të ecë përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023, rrjedhimisht edhe të nisë hapat për themelimin e Asociacionit.

“Sipas Marrëveshjeve përkatëse të Dialogut të 2013 dhe 2015, Statuti për themelimin e AKS-së duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog. Çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së, dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

Kjo gjithashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë Statutin jashtë dialogut. Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tij.

Më tej, Stano shton se draft-statuti evropian për Asociacionin bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane si dhe në kornizën ligjore të Kosovës.

Sipas tij, Kurti e ka pranuar në parim draft-statutin, në prani të liderëve evropianë dhe se i njëjti është mbështetur nga 27 vendet e BE-së. Andaj, siç thotë ai kualifikimi i këtij dokumenti si një “non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dialogun e Brukselit.

“Ky Draft Statut Evropian bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Drafti iu prezantua kryeministrit Kurti personalisht nga ndërmjetësuesi i BE-së së bashku me Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së.

Në një takim të nivelit të lartë në mbështetje të dialogut në prani të presidentit Macron, kryeministrit Meloni dhe kancelarit Scholz, të dyja palët pranuan në parim Draft Statutin Evropian. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti ‘gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga ndërmjetësuesi i BE-së’.

Ky është një njohje formale e dokumentit nga të 27 shtetet anëtare të BE-së. Etiketimi i projektstatutit Evropian si “thjesht një non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dhe vonon më tej perspektivën e krijimit të tij”, përfundon ai.

Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress se Bashkimi Evropian e ka bërë obligim për Kosovën draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga ata. Sipas tij, një gjë e tillë po shihet në bazë të qëndrimeve të institucioneve të BE-së dhe liderëve evropianë.

Megjithatë, ai thekson se nuk pret që kryeministri Kurti të dërgojë draftin në Gjykatë Kushtetuese para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Pas përfundimit zgjedhor, sipas tij, kushdo që do të jetë kryeministër “me një buzëqeshje të butë do të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese”.

“Nëse tash i shohim të gjitha komponentët, ato që po kërkon Bashkimi Evropian është zyrtare dhe tani ai është bërë dokument ndërkombëtarë dhe obligim i Kosovës. Për fat të keq aty Bashkimi Evropian ka të drejtë. Në një mënyrë edhe Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe të gjithë krerët e BE-së po e thonë se Kosova e ka obligim. Tash është vetëm çështje e kohës që pas zgjedhjeve me 10 shkurt kushdo që të jetë kryeministër me një buzëqeshje të butë të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. Ky është rezultati më i mundshëm me u arrit në atë periudhë kohore. Bashkimi Evropian po kërkon diçka për momentin që të bëjë presion te palët, por nuk besoj se para zgjedhjeve do të ketë diçka serioze në këtë drejtim”, deklaron Arifi.

Ndërkaq, analistja politike, Magbule Shkodra, deklaron se kryeministri Albin Kurti po heziton të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në kushtetuese për shkak të së kaluarës së tij dhe kundërshtimit të madh që i ka bërë kësaj teme.

Sipas saj, Kurti nuk do të dërgojë draftin në Kushtetuese edhe për shkak të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe rrezikut që kjo temë t’i humbë vota.

“Zotëri Kurti nuk do të dërgojë draft-statutin pa përfunduar zgjedhjet e 9 shkurtit. Porsa të përfundojnë zgjedhjet dhe të shohim rezultatin zgjedhor, qeveria e ardhshme kushdo që të jenë në krye të saj do të ketë obligim të dërgojë këtë draft-statut në Gjykatën Kushtetuese.

Disa herë e kam cekur se është plotësisht e papranueshme që zotëri Kurti të mos ketë besim në Gjykatën Kushtetuese. Unë besoj në Gjykatën Kushtetuese dhe jam e bindur se nëse do të ketë diçka që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, gjykata sikurse ka bërë në të kaluarën do të bëjë përsëri”, thotë ajo.

Kryeministri Albin Kurti dje deklaroi se nuk mund të bëjë asociacione të komunave në cilësinë e shefit të qeverisë, pasi një gjë e tillë, siç tha ai, iu takon komunave ta bëjnë.

“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe si kryetar i partisë politike më të madhe në vend e kuvend, i lëvizjes më të jashtëzakonshme që kanë shqiptarët në shekullin 21, mund të bëj asociacion të argumenteve në diskurs, ose asociacion të projekteve në program, por nuk mund të bëj asociacion të komunave në republikë, i takon komunave ta bëjnë asociacionin”, ka thënë Kurti.

Në vitin 2013, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, e cila u ratifikua edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretave. Mes tjerash, aty parashihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përkitazi me këtë temë, Kosova u dakordua edhe për marrëveshjen e parimeve për Asociacionin në vitin 2015, derisa në kuadër të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur në vitin 2023, parashihet zbatimi i marrëveshjeve të kaluara dhe krijimi i një vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë./Kosovapress