Gjatë gjithë ditës mediat kanë vërtitur nëpër duar një ‘ shqetësim’  të presidentit Meta mbi njoftimin e BE se ‘ do të kthehen vizat për Shqipërinë”

Mirëpo pasdite BE ka përgënjeshtruar: ‘ Nuk kemi përmendur një shtet të veçantë, as Shqipërinë’.

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka reaguar pas debatit të krijuar nga deklaratat e Komisionerit të Bashkimit Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, i cili tha se BE do të marrë masa, po u shtuan hyrjet legale për azil nga Shqipëria. Kjo deklaratë shqetësoi edhe qytetarët por edhe lidërët politik në vend. Rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët do e çonte shumë hapa pas vendin që aspiron integrim por iu shtynë edhe njëherë hapja e negociatave.

Në një prononcim për BW, Delegacioni i BE u shpreh se komisioneri nuk flet për një vend në veçanti dhe se sa i përket Shqipërisë ai theksoi punën e vazhdueshme të autoriteteve shqiptare, duke përmendur në mënyrë specifike kontributin e saj për uljen e numrit të kërkesave për azil.

“Në kundërshtim me atë çka është raportuar, Komisioneri nuk ka komentuar mbi situatën në ndonjë vend në veçanti, as nuk ka thënë se do të ndërmerret ndonjë veprim kundër ndonjë vendi të caktuar në të ardhmen.

Në rastin e Shqipërisë, Komisioneri theksoi punën e vazhdueshme të autoriteteve shqiptare, duke përmendur në mënyrë specifike kontributin e saj për uljen e numrit të kërkesave për azil.

Ndërsa Komisioneri e bëri shumë të qartë se ka detyrime për t’u përmbushur dhe rregulla për t’u ndjekur për të gjitha vendet pa viza në mbarë botën – ai gjithashtu bëri shumë qartë se Komisioni do të bëjë çmos për të shmangur çdo pasojë negative për çdo vend pa viza dhe se në rastin e Shqipërisë ai ka qenë në kontakt të ngushtë me autoritetet për këtë çështje, edhe gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, më 21 maj, për bërjen operative të marrëveshjes status midis Shqipërisë dhe Agjencisë Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare, ku Komisioneri u përgjigj gjithashtu për këtë çështje zyrtarisht.”, deklaron përfaqësuesi i delegacioni të BE.

Kujtojmë se këtë të martë, Dimitris Avramopulos deklaroi se po të vazhdonte kjo tendencë migrimi nga shtetet si Venezuela, Kolumbia ose Shqipëria, BE do të ndërmerrte hapa. Gjithashtu, ai u bëri thirrje shteteve të prekura që të respektojnë rregullat për të cilat është rënë dakord.

Veritas.com.al/