(FOTO: Fragment nga Rruga e Kombit)
Nga: Veritas.com.al/
Gazeta Shekulli, media shumë pranë qeverisë, është e vetmja që ka siguruar informacion për mbledhjen e djeshme të Qeverisë. Në mbledhje është vendosur dhënia me koncesion e Rrugës së Kombit (Milot- Morine) si dhe janë dhënë informacione të detajuara mbi tarifat që do të paguhen.
Sipas vendimeve të djeshme në qeveri, çdo drejtues automjeti (veturë) do të paguajë 5 euro për një kalim në Rrugëne Kombit; ndërsa për kamionët dhe autobusët- zotëruesit e tyre do të paguajnë nga 10 euro për çdo kalim.
Sipas informacioneve është bërë edhe një përjashtim për ata që kalojnë shpesh në këtë rrugë; duke përdorur metodën e “kuponit”. Këta përdorues të shpeshtë të rrugës do të paguajnë një kupon prej 40 euro në muaj dhe do ta përdorin sa herë kalojnë.
Ndërsa për banorët e Kukësit nuk do të ketë pagesë për përdorimin e Rrugës së Kombit. Nuk dihet cili është kriteri që i përjashton këta banorë: Fakti që ata protestuan dhe tani jemi në prag të zgjedhjeve kur iu kërkohet përsëri vota; apo fakti që Kukësi është pika fundore e rrugës. Sipas të dy “kritereve” krijohet precedenti që edhe banorët e Milotit, Mirditës dhe Pukës nuk duhet të paguajnë tarifa për rrugën. Sepse rruga kalon më shumë në këto territore se sa në Kukës.
Dhe sipas “kriterit” të dytë, atëherë banorët e Kukësit e Tropojës dhe Vaut të Dejës, nuk duhet të paguajnë as energjinë elektrike, e cila prodhohet në këto territore.
/Veritas.com.al/