Kryetari i grupit të Foltores i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë ditën e sotme në deklaratën e përjavshme me gazetarët, teksa ka bërë një rezyme të ngjarjeve të ndodhura në vendin tonë, teksa është fokusuar kryesisht te qëndrimi i ambasadores amerikane, e cila sipas Berishës, bëri gjithçka që t’i diktojë opozitës kryetarin e saj.
“Në këtë përpjekje, do të nxijë në historinë e turpit, qëndrimi i ambasadores së SHBA, e cila, pasi në një akt madhor korruptiv, kishte mashtruar qeverinë e saj për korrupsionin imagjinar të Sali Berishës, bëri gjithçka që t’i diktojë opozitës, kryetarin e saj. Përdori, abuzoi dhe shpërdoroi, duke shkelur çdo ligj të këtij vendi dhe vendit të vet, çdo konventë ndërkombëtare, çdo parim.
Përdori fuqinë e vendit të saj, për t’i diktuar opozitën kryetarin. Por ky është viti i opozitës, sepse asgjë nuk mposhti dot idealet e demokratëve. Ata u ngritën fuqishëm kundër armikut të egër të votës së lirë, armikut të egër të PD-së, u ngritën kundër atyre që përdorën korrupsionin për të luftuar anti-korrupsionin në Shqipëri, që përdorën krimin e organizuar për të luftuar antikrimin në Shqipëri.
Pavarësisht se ata përfaqësonin shtetet më të admiruara nga shqiptarët, SHBA dhe Britaninë. Opozitarët shqiptarë qëndruan dhe këtë vit u faktuan kombit dhe botës se Shqipëria ka një opozitë më të fuqishme se kurrë, më të vërtetë se kurrë.”