Partia Demokratike ka mbledhur mëngjesin e sotëm grupin parlamentar, të thirrur nga kryetari i grupit Enkelejd Alibeaj, ku për herë të parë ka marrë pjesë edhe Sali Berisha, megjithëse është përjashtuar nga grupi që prej 9 shtatorit, pasi është shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Mbledhja ka nisur me debate ndërmjet Alibeajt dhe Berishës, ku kryetari i grupit, i ka bërë të qartë ish-kryeministrit se është i paftuar dhe se prezenca e tij është një sinjal i brishtë për demokracinë e brendshme në parti. Alibeaj i tha Berishës se një person i shpallur ‘non grata’ nuk mund të drejtojë Partinë Demokratike. Në mbledhjen e grupit parlamentar, kanë marrë pjesë edhe deputetët që u përjashtuan nga ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ajo çfarë vihet re në zyrat në selinë blu janë edhe logot e PD-së, të cilat tashmë janë ndryshuar dhe janë vendosur logot e Rithemelimit.
Kjo është mbledhja e parë që po zhvillohet, pas vendimit të gjykatës për t’i dhënë drejtimin e PD-së Gurpit Të Rithemelimit, me miratimin e statutit të Kuvendit të 11 dhjetorit, i thirrur nga Sali Berisha. Ndërkohë ish-kryetari Lulzim Basha nuk ka marrë pjesë në mbledhje, ndërsa mungojnë edhe, Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Alfred Rushaj, Flutura Açka, Kreshnik Çollaku, Orjola Pampuri, Ilda Dhori.