Gjashtë ditë pasi gjykata e Posaçme e mbylli në arrest shtëpie, oficerët e policisë së Tiranës i kanë shkuar për kontroll Sali Berishës. Oficerët do të kontrollojnë zbatimin e masës së sigurisë.

Më 30 dhjetor, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë dhe ndalimit të komunikimit për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Mbrëmjen e djeshme, për të tretën ditë radhazi mbështetësit e tij u mblodhën poshtë shtëpisë në rrugën “Mustafa Matohiti”.

Ish-kryeministri Sali Berisha doli sërish mbrëmjen e djeshme në ballkonin e shtëpisë në rrugën “Mustafa Matohiti”, duke përshëndetur simpatizantët që u grumbulluan në mbështetje të tij.

E djeshmja ishte e treta natë që Berisha komunikon me protestuesit poshtë ballkonit të tij, edhe pse vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, aplikuar më 30 dhjetor parashikon ndalimin e komunikimit me çdo person që nuk jeton në të njëjtën strehë me të.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cilësoi ditën e djeshme daljet dhe fjalimet e Berishës në ballkon si të papranueshme dhe kërkoi nga Policia e Shtetit që ta trajtojë ish-kryeministrin si çdo qytetar tjetër të Republikës së Shqipërisë.

Oficerët e policisë e kanë nisur, këtë të premte, duke ushtruar një kontroll në banesën e Berishës, për të bërë konstatimet përkatëse mbi mënyrën si po zbatohet masa e sigurisë.

Nga pamjet e siguruara nga A2CNN shihet se një oficer policie nën shoqërinë e drejtorit të njësisë së Krimit Ekonomik në Tiranë, Erion Ismaili hyjnë në pallatin, ku ndodhet banesa e ish-kryeministrit.