Pas Kuvendit Kombëtar të zhvilluar nga Sali Berisha, ish-Kryeministri ka dhënë një mesazh ku paralajmërohet një tjetër aksion. Përmes një postimi në Facebook, Berisha iu bën thirrje demokratëve që është koha për të vepruar duke shkruar se i pret në shtëpinë e kontributeve, duke nënkuptuar selinë e PD-së.
“Të dashur demokrate dhe demokratë! Kohët e fundit kanë qenë të mendueshme dhe të vështira për Partinë Demokratike. E di që shumë prej jush kanë dyshuar, ndoshta edhe janë trembur për shkak të fushatës së fuqishme linçuese që është mbajtur kundër personit tim dhe lëvizjes se Foltores. Megjithatë, ne të gjithe se bashku, Delegatë dhe militantë u dhamë përgjigjen më dinjitoze, më të bukur dhe më madhështore dje nëpërmjet mbledhjes historike të Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit të Partisë Demokratike thirrur nga delegatët.
Sot nuk është me koha e dyshimit, sot është koha e veprimit. Ju pres të gjithëve në shtëpinë e kontributeve, sakrificave dhe idealeve tona të përbashkëta, Partinë Demokratike, për të vazhduar betejën kundër të keqes që ka mbërthyer Shqipërinë tonë të dashur. Me nderim të veçantë për kontributin e secilit prej jush”, shkruan Berisha.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të PD. Lulzim Basha ka dhënë mesazhin e qartë se “PD nuk do të mbahet peng nga askush dhe se Sali Berisha nuk mund t’i kërcënojë demokratët në shtëpinë e tyre”. Sipas tij PD nuk do të tërhiqet zvarrë as nga ai po rrezikon të ardhmen e demokratëve për interesin e tij personal.