Nga: Laert Skiro/
Sot në seancë parlamentare, zoti Sali Berisha, deputet, ish kryeministër, ish president i Republikës, e la mënjanë, në një moment, rendin e ditës mbi zgjedhjet elektronike dhe iu kthye çështjes së Kosovës.
Në Kosovë dhe rreth Kosovës janë zhvilluar disa ngjarje kohët e fundit. Para disa ditësh, një tren i konsideruar “ provokativ”, u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës, me një mbishkrim se “Kosova është Serbi”.
Ngjarja mori vëmendje më të gjerë, deri edhe në shtetet europiane. Qeveria e Kosovës, pasi ndaloi treni, u mor më shumë me zotësinë kush e ndaloi. Njëri zyrtar i lartë u mburr më shumë se zyrtari tjetër se “e ndalova unë trenin”. Punë fëmijësh!, që i lanë kosovarët të çuditur e pa shpresë. Pastaj dolën nga pala serbe e thanë se “e ndaluam vetë trenin”. Kishte vetëm pak qetësi sarkastike.
Pas pak ditësh Presidenti i Kosovës, Thaçi ka thënë se Serbia po përgatitet për luftë. Edhe zëra të tjerë në Kosovë kanë thënë të njëjtën gjë. Deri më sot, në projektet e botës nuk vërehen prova lufte, por përderisa mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur tensioni, atëherë momenti duhet marrë seriozisht.
Aq më tepër që edhe nga ana tjetër, Serbia, vijnë deklarata që mbajnë erë luftë. Presidenti i Serbisë Nikolic ka deklaruar se “do të shkoj në luftë bashkë me djemtë”. Individët po manifestojnë individualizëm luftarak.
Por institucionet politike kanë heshtur.
Qeveria e Shqiopërisë kujdeset më shumë për ekspozita pikture dhe libra në Beoegrad se për çështje kombëtare.
Një deklaratë e vetme e politikanit të shpallur si nacionalist, Majko, thotë se “shqiptarët janë më të aftë në luftë se në paqe”, që më shumë i tregon shqiptarët njerëz të egër se sa qytetarë të Europës.
Deputeti i “mallkuar” nga qeveria Ben Blushi ka shprehur idenë se sikur të nisë lufta, atëherë ky është shans për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Institucionet e Shqipërisë nuk kanë reaguar në asnjë drejtim. Të gjithë majtistët shikojnë kryeministrin që iu ka premtuar lidhje të ngushta me Rusinë.
Vetëm sot, në Kuvend, Deputeti Berisha ka folur shqip.
Ai ka thënë: “Ndaj këtij reaksioni ndaj shqiptarëve do të reagojmë. Ne respektojmë procesin e paqes. Por nëse vini me agresion, do tu përgjigjemi me të gjitha mjetet tona….shqiptarët duhet të bëjnë çdo gjë, që të bashkohet çdo gjë, çdo territor. Shqiptarët nuk do të jenë të humbur. Por nuk është kjo. Shqiptarët duhet të qëndrojnë te ligjet ndërkombëtare dhe partnerët e tyre… Kërkoj nga parlamenti të shqyrtojë çdo hap të politikës së jashtme të këtij vendi”, tha Berisha.
Ish- kryeministri as kërcënoi, as shpalli luftë, as bëri humor. Kryeministri, në këtë rast foli me shqiptarët si në Kosovë edhe këndej kufirit dhe iu tregoi se shteti është më shumë se qeveria dhe se shteti është me kombin.
/Veritas.com.al/