Policia kufitare ka shpëtuar nga mbytja shtatë persona në Sarandë, Ksamil dhe Himarë.

Në Sarandë kanë qenë tre pushues, të cilët kishin shkuar me varkë në plazhin e Krorëzit, por nuk kishin mund të ktheheshin për shkak të kushteve jo të mira atmosferike.

Policia kufitare u ka ardhur në ndihmë dhe ka bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg.

Ndërkohë tre persona të tjerë, mes tyre dhe dy polakë janë kthyer ditën e sotme duke përshkuar malin nga Krorëza në Kakome.

Në Ksamil roja bregdetare i ka ardhur në ndihmë tre pushuesve kosovarë të cilët kanë rrezikuar të mbyten në zonën e Shkëmbit të Miseve, pasi mjeti kanoe me të cilin vozitnin është fundosur si pasojë e motit të keq.

Në Drimadhë një 26-vjeçar polak ka kërkuar ndihmë pasi kishte hyrë për tu larë dhe duke notuar e ka marrë rryma.

Shërbimet policore i kanë shkuar menjëherë në ndihmë, duke bërë të mundur nxjerrjen e tij në breg shëndoshë e mirë.  Të gjithë shtetasit e lartpërmendur, janë shoqëruar në terren tokësor dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Veritas.com.al/