Media prestigjoze në botë publikuan lajmin se William Argeros u shpall fajtor si personi që kishte bërë të mundur financimin e 80 mijë dollarëve nga një donator i huaj në fushatën e presidentit Obama në vitin 2012, duke shkelur ligjin federal të SHBA që ndalon finacimet e huaja në fushata elektorale. Bloomberg përmend emrin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, si personin që pagoi 80 mijë dollarët për të bërë një foto me Obamën.

Kjo agjenci i referohet një shkrimi të Associated Press, e cila nga ana e saj citon akuzat e opozitës shqiptare.

Bashkë me William Argeros fajtor është shpallur edhe Bilal Shehu, personi që Rama e takoi në San Francisco në takimin elektoral të presidentit Obama. Kryeministri shqiptar ka thënë se e ka takuar Bilal Shehun si “anëtar të komunitetit shqiptar në Nju Jork”. Por opozita e akuzon se ai e përdori Bilal Shehun për të paguar paratë dhe për të marrë pjesë në takim, me qëllim që të bënte një foto me presidentin Obama. Këtë foto Rama e përdori në fushatën elektorale të vitit 2013 dhe i fitoi zgjedhjet.

Disa media të tjera të huaja e lidhin pagesën e paligjshme të 80 mijë dollarëve me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Vetë Rama i ka mohuar akuzat. Opozita e ka paditur në prokurori për këtë çështje që në SHBA po hetohet nga FBI. Në SHBA, një kongresmen republikan, Danna Rohrabacher, i kërkoi FBI –së të hetonte rastin, përfshirë edhe Edi Ramën, që në atë kohë ishte kryetar i opozitës.