Presidenti Meta i ka dërguar një letër zyrtare kryeministrit Edi Rama të cilën Top News e disponon, ku kërkon informacion për çështjen e detit.
Kujtojmë se që nga deklarata e kryeministrit grek Mitsotakis i cili komunikoi në parlamentin grek për zgjerimin e Greqisë me 12 milje në det çështja u shoqërua më një sërë debatesh në vendin tonë.
Ndër kërkesat e renditura nga Presidenti Meta drejtuar Kryeministrit Edi Rama për këtë çështje thuhet se: “ Kërkoj informacion mbi komunikimin me kryeministrin grek apo zyrtarë të tjerë. Kërkoj informacion mbi qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare për çështjen e detit. Kërkojmë informacion për veprimet që do ndërmarrë qeveria shqiptare”, shkruhet në letër.
Ndërkohë kryeministri Rama më herët për çështjen është shprehur se kush do vërtetë të dëgjojë dhe të kuptojë si qëndron e vërteta e kësaj historie, le ta ndjekë me vëmendje sepse fatmirësisht, është shumë e thjeshtë.
Ai thotë se fjala e kryeministrit grek në parlament, nuk ka asnjë lidhje me ujërat territorialë të Shqipërisë, me ndonjë marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë apo me ndonjë punë të Shqipërisë që lidhet me të drejtën e vendit fqinj “për ato 12 miljet e stëpërfolura”.
Nga ana tjetër Greqia është shprehur se ajo ka vendosur të ushtrojë të drejtën që asaj i jep ligji ndërkombëtar dhe konkretisht neni 3 i Konventës së Kombeve te Bashkuara të vitit 1982 për të Drejtën e Detit dhe për zgjerimin e ujërave të saj territoriale nga 6 në 12 md në detin Jon dhe ishujt e tij, deri në Kepin Tenaro në Peleponez.
Zgjerimi i ujërave territoriale do të zbatohet me miratimin e një ligji nga Parlamenti. Do t’i paraprijë publikimi i një dekreti presidencial, i cili do të mbyllë gjiret (do vendosë pra si vijë fillestare matëse vijën e hequr nga njëri kep te tjetri dhe që aty do të fillojë matja e 12 miljeve, jo si më parë që fillonte nga njëri kep dhe shkonte vetëm në 6 milje) dhe do të hartojë vijën bazë të drejtë në zonë, në zbatim të dispozitave përkatëse të Konventës për Ligjin e Detit.