Nga Plaurent Devolli/

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, që në mëngjes ka trokitur në zyrat e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe të kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, ku ka shpenzuar për secilin më shumë se një orë kohë.

Takimi vjen shpejt pas ngjarjeve në Kuvend dhe rreth selisë së tij, mbi zgjedhjen e prokurores së ‘përkohshme’ të përgjithshme, zgjedhje që u kontestua si anti- kushtetuese nga opozita. Opozita kryesoi një protestë popullore jashtë zyrave të Kuvndit, ndërsa në sallë, deputetët e Opozitës  hodhën flakadanë tymues. Si Policia, bodyguardët e Kuvendit ashtu edhe anëtarë të Opozitës u kapën në akte ‘dhune’ siç u quajt më vonë nga ambasada e SHBA dhe nga zyrat e BE.

Më i zemëruari i gjithë kësaj ‘historie’ u shfaq ambasadori Lu, i cili u pushtua nga emocionet dhe kërcënoi ‘politikanët shqiptarë’ se ju reagoni për shkak s epo iu vjen radha e burgut! Si mediat edhe publiku vetë e pritën shumë keq qëndrimin e ambasadorit Lu.

Sot, që në mëngjes zoti Lu është paraqitur në zyrat e Opozitës. Pyetja shtrohet: Pse vallë zoti Ambasador kthehet në vendin ku kreu aktin e paprecedent në diplomacinë e shteteve, duke mbajtur anën e qeverisë kundër opozitës dhe kushtetutës së Republikës?

Përgjigjja e parë është se:

Zoti Lu vjen te opozita në emër të qeverisë së Shqipërisë, jo në emër të qeverisë së Shteteve të bashkuara. Qeveria e shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do të pranonte një akt anti- kushtetues të kryer nga Parlamenti. Përderisa Departamenti i Shtetit nuk dërgoi fjalë mbi aktin, ka një kuptim tjetër: O ambasadori nuk ka njoftuar saktë Qeverinë e tij, ose Qeveria Amerikane nuk reagoi. Por nuk mund të reagojë tani ‘pas dasmës’.

Atëherë zoti Lu shkon në zyrat e  Opozitës, në emër të qeverisë shqiptare. Ish- kryeministri Berisha tha dje se ‘Lu është ambasador i kryeministrit Rama’, jo i Amerikës. Kryeministri Rama ka interes që ta mbyllë ‘historinë’ me Kuvendin dhe thyerjen e Kushtetutës. Mbulimi i gjithë asaj që ndodhi është edhe një ‘rilindje’ e qeverisë; ndryshe nuk mund të ketë ditë të qeta. Opozitarja Kryemadhi u betua se ‘nuk do të ketë ditë të qeta’. I vetmi që mund të bisedojë me opozitën që ‘ta mbyllin këtë punë’ është ambasadori Lu. Këtë mund ta bëjë duke mbartur mbi vete autoritetin e shtetit të SHBA, sigurisht.

Përgjigjja e dytë, është se:

zoti Lu bën një ‘pazar’ të vogël në zyrat e Opozitës:

Dje, një nga mediat online ‘Hashtag’ komentonte sjelljen e Lu si të paguar nga maxhoranca- e cila është një parti e vetme. Nuk kishte asnjë përgjigje nga ambasada Amerikane, megjithëse zoti Lu i përgjigjet çdo kritiku në faqen e tij online. Madje edhe ka kërcënuar. Në qoftë se është fjala për pagesa dhe lobingje, atëherë kemi të bëjmë më fjalën turke ‘Pazar’ që përdoret rëndom në shqip. Ambasadori Lu mund të bëjë ‘Pazar’ me autoritetin e shtetit të SHBA për të mbyllur gojën e opozitës. Përshëmbull, mund të ofrojë ose privilegje, ose edhe dënime për opozitarët, deri në ndalimin e vizave hyrëse në Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, ‘pazari’ në zyrat e opozitës mund të ketë si objekt ‘blerjen’ e krimeve. Zoti Lu që është shfaqur si ekspert krimi dhe njohës i klaneve kriminale në Shqipëri, mund të shantazhojë opozitën se ‘ka kryer krime’. Nëse opozita, pas ditës së sotme nuk e hap më gojën mbi punë të vogla si ‘shkelja e Kushtetutës’ atëherë Lu i fal krimet.

Kjo është e tëra nga çanta e dhuratave të zotit Lu për opozitën.

Veritas.com.al/