SHKODËR– Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbledhur në një takim maratonë këtë të shtunë ministrat dhe kryetarët e bashkive në qytetin e Shkodrës. Në takim me kryeministrin kanë shkuar dhe krerët e bashkive që drejtohen nga opozita, me përjashtim të Fredi Beleri, i cili u shpall fajtor dhe dënua me dy vjet burg për shit-blerje votash.

Gazetarja e ABC News, Esiona Konomi, raporton se nga ora 10:00 deri në 10:30 do të jetë kryeministri Edi Rama ai që do të mbajë fjalën hapëse, për të vijuar më pas me fjalën e ministrit për Shtetin dhe Pushtetin vendor Arbjan Mazniku.

Ku i fundit do të flasë për rreth një orë për analizat financiare, projektet e BE-së, burimet njerëzore dhe shërbimet që ofrohen nga pushteti vendore. Nga ora 12:10 deri në orën 13:30 është parashikuar në agjendë 9 tryeza të hapura bashkëbisedimi me anëtarë të qeverisë, kryetarët e bashkive drejtues të agjencive.

Në fokus të diskutimeve do të jenë tema të ndryshme duke nisur që nga shëndetësia, arsimi, bujqësia, siguria, financat e deri tek infrastruktura, pronat dhe burimet njerëzore.

Më tej, 13:30-14:00 do të ketë rotacion të tryezave, ku anëtarë të qeverisë dhe kryetarët e bashkive do të japin informacione nga tryezat ku ata nuk kanë marrë pjesë. Pas këtyre diskutimeve, do të vijohet me fjalën e ministrit të Pushtetit Vendor, me propozime për të zgjidhur problematikat që kanë hasur në disa bashki të vendit.

Në fund, kryeministri Edi Rama do të mbajë një fjalë përmbyllëse./