Ambasada ruse në Shqipëri të dielën e 17 tetorit ka konfirmuar identitetet e vdekjes së katërfishtë të shtetasve rusë, mbrëmjen e 15 tetorit në një hotel në Qerret.
Përkatësisht ata janë: Natalia Burenkova, Sergey Burenkov, Ekaterina Burenkaya dhe Nikita Belousov.
Nga ambasada u njoftua se janë në kontakt të vazhdueshëm me agjencitë ligjzbatuese shqiptare dhe po heton rrethanat e asaj që ka ndodhur.
“Ne presim një hetim të plotë nga pala shqiptare të shkaqeve të vdekjes së rusëve”, bëhej me dije në faqen zyrtare Twitter të Ambasadës.
Gjithashtu ambasada njoftoi të afërmit e të ndjerëve se trupat e tyre do të riatdhesohen në vendlindje.
Ndërkohë gjatë kësaj dite dolën detaje të reja për sa i përket vdekjes së tyre.
Shtetasit rusë kanë gjetur vdekjen në ambientet e pishinës dimërore të hotelit dhe jo në sauna, siç u raportua më herët.
Përkatësisht mësohet se policia dhe Prokuroria po hetojnë në disa pista. Më e mundshmja është ajo e asfiksisë për shkak të klorit në ujin e pishinës.
Dyshohet se përqendrimi i klorit ka qenë shumë i lartë, duke bërë që ata të asfiksohen dhe të gjejnë vdekjen.
Prokuroria po heton edhe mundësinë e helmimit të tyre. Ata një ditë para mbërritjes në Shqipëri, kishin drekuar në shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut.
Deri më tani mësohet se janë marrë kampionët e ujit dhe të klorit të përdorur në pishinë. Gjithashtu është matur cilësia e ajrit nga ekspertët.
Mediat e huaja, e mbi të gjitha ato ruse, e kanë pasqyruar ngjarjen me kuriozitet. Ndër këto media, edhe ajo britanike, Daily Mail, i ka kushtuar një artikull të veçantë./Albanianpost.com