Çmimet globale të naftës janë rritur përpara afatit të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump që Irani të hapë rrugën jetike të transportit në Ngushticën e Hormuzit.

Çmimi i naftës Brent u rrit rreth 1.4% në 111.33 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA u rrit me 2.8% në 115.61 dollarë.

Të hënën, Trump kërcënoi se do ta “shkatërronte Iranin brenda një nate” nëse vendi nuk arrinte një marrëveshje me SHBA-të deri mbrëmjen e kësaj të marte, në orën 20:00 sipas kohës së Washington DC.

Transportet e naftës dhe gazit nga Lindja e Mesme janë ndërprerë pasi Teherani ka kërcënuar të sulmojë anijet që përpiqen të përdorin ngushticën, si hakmarrje për sulmet ajrore amerikane dhe izraelite që nga 28 shkurti.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se besonte se “liderë të arsyeshëm” në Iran po negocionin “me besim”, por se rezultati mbetet i pasigurt.

Deri tani Irani i ka refuzuar propozimet për një armëpushim të përkohshëm, duke kërkuar një fund të përhershëm të luftës dhe heqjen e sanksioneve kundër vendit.

Rritja e çmimeve sot sugjeron se investitorët besojnë se mund të jetë më e vështirë se sa pritej për SHBA-të që të arrijë një marrëveshje, për shkak të qëndrimit të ashpër të Iranit, dhe se lufta mund të zgjasë. Kështu tha Ye Lin nga kompania e kërkimeve Rystad Energy.

Lin shtoi se ndërkohë, tregtarët po përpiqen të kuptojnë nëse Trump me të vërtetë dëshiron një marrëveshje apo thjesht po “ngre një perde tymi” ndërsa përgatitet për një sulm më të madh.

Përpara afatit të së martës, Mbretëria e Bashkuar do të presë një takim të planifikuesve ushtarakë aleatë dhe partnerëve për të diskutuar masat për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit pasi konflikti të ketë përfunduar.

Ndërprerjet në këtë rrugë kyçe të transportit kanë rritur çmimet e energjisë në mbarë botën dhe kanë shtuar shqetësimet për inflacion më të lartë globalisht. Rreth një e pesta e transportit botëror të naftës dhe gazit kalon zakonisht përmes kësaj ngushtice.

Ekonomitë kryesore në Azi, përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut, janë goditur veçanërisht nga ndërprerjet pasi varen shumë nga energjia e Lindjes së Mesme.

Edhe pse disa anije e kanë përdorur ngushticën javët e fundit, volumi ka qenë shumë më i ulët se para konfliktit. Trump ka bërë thirrje gjithashtu që vendet të dërgojnë anije luftarake në rajon për të siguruar kalimin e sigurt të më shumë mjeteve përmes Ngushticës së Hormuzit.

Disa vende kanë negociuar me Iranin për të siguruar kalim të sigurt për anijet e tyre në ngushticë.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *