Të gjithë personat mbi 18-vjeç që kanë dëshirë të marrin vaksinën kundër koronavirusit, do të kenë mundësi ta bëjnë këtë në datat 29 dhe 30 qershor duke shënuar ditë të hapura të vaksinimit masiv të popullsisë. Këto dy data do të jenë të para të këtij vaksinimi të hapur +18 vjeç, ndërsa gjatë sezonit veror do të ketë edhe ditë të tjera që do të përcaktohen në vijim.
Lajmin e dha Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila tha se qendrat e vaksinimit do të hapen për të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç në këto data dhe se duke filluar nga nesër, të gjithë qytetarët që duan të vaksinohen duhet të regjistrohen në e-Albania dhe më pas do të njoftohen se në cilën pikë të qendrës së vaksinimit duhet të shkojnë ta bëjnë atë.
“Bazuar në rekomandimin e ekspertëve të ISHP, ne kemi vendosur -ashtu sikurse edhe në shumë vende në Botë e kanë praktikuar- që e marta dhe e mërkura e ardhshme të jenë ditë vaksinimi të hapura. Pra datat 29-30 qershor do të jenë ‘open days’ për vaksinimin e popullatës plus 18 vjeç. Ne do të përdorim platformën e-Albania, që të gjithë qytetarët që janë të interesuar për t’u vaksinuar, të mund të aplikojnë nga dita e nesërme, e diela dhe e hëna për të kërkuar për t’u vaksinuar dhe sistemi E-Albania do të njoftojë vendin e vaksinimit, sipas qyteteve dhe do të jenë kryesisht qendrat e vaksinimit të përqëndruar ato të cilat do realizojnë vaksinimet për ditët e hapura”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se kjo nuk do të ndalë vaksinimin e target moshave +50 vjeç në qendrat shëndetësore, ndërsa shtoi se me ardhjen e vaksinave të reja do të mundësohet arritja e objektivit të 1 milionë vaksinime brenda qershorit.
“Vlen që në grup-moshat e ndryshme të popullatës, të kemi një mbulim të mirë të vaksinimit për të shmangur shpërthimet pandemike. Pavarësisht situatës së mirë pandemike, nuk mund të themi se jemi imunë, ndaj kemi vendosur që datat 29 dhe 30 qershor të jenë ‘open day’, ditë të hapura për vaksinimin për popullatën plus 18 vjeç. Kush dëshiron ta bëjë vaksinën duhet të regjistrohet në e-Albania duke filluar nga sot. Ditët e hapur nuk do të thotë që të mos vijojmë me traget grupin që po administrojnë qendrat shëndetësore +50 vjeç. U bëj thirrje që të vijnë të vaksinohen në qendrat shëndetësor, bërja e vaksinës krijon një mbyllëse që i paraprijmë vjeshtës dhe mbrojmë sa më shumë jetën. Presim që të vijnë vaksina të tjera, ndërkohë që në Shqipëri kanë mbërritur mbi 1 milionë vaksina dhe pritet të kemi edhe sasi të tjera që të vijnë. Në synojmë që të arrijmë synim 1 milion që kemi vendosur dhe në këto ditë të hapura që kemi vendosur t’i fillojmë këtë muaj, t’i shërbejnë qytetarëve dhe qëllimti të vaksinimit. Edhe gjatë verës të kemi vaksinim në vazhdim, për të moshuarit që nuk munden do të shkojmë t’i vaksinojmë në shtëpi”, tha Ministrja.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino u shpreh se vaksinimi i moshave më të reja është i rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjësimit dhe shmangien e shpërthimeve epidemike të mundshme të variantit të ri Delta.
“Vaksinimi po ecën mjaft mirë. Kemi një mbulesë mjaft të mirë vaksinale sidomos tek personat mbi 70 vjeç, që është një grup mjaft i prekur nga pikëpamja e vdekshmërisë, kështu që është një element i mirë që ne pothuajse, po arrijmë 70 përqind të kësaj grup moshe, por edhe ato grupmoshat e tjera janë goxha mirë dhe prandaj ka rëndësi që ta ulim dhe më tepër grupmoshën, që të ndërgjegjësojmë dhe të rinjtë, sidomos me daljen e variantit Delta, që mund të prekë të rinjtë”, tha Bino.
Ministrja e Shëndetësisë ka ritheksuar se sezoni i verës do të jetë një sezon i vaksinimit masiv, duke vaksinuar edhe në shtëpi, edhe në fshatrat më të largëta, ku nuk është mbuluar e gjithë popullata, sidomos më të moshuarit, që kanë pamundësi të shkojnë pranë qendrave të vaksinimit.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 930,126 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 389,436 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.
VERITAS.COM.AL