Një korrespondencë letrash zyrtare mes Departamentit Amerikan të Shtetit dhe kongresmenit republikan, Lee Zeldin, gjatë muajit qershor, ka qarkulluar ditët e fundit dhe nxjerr në dritë arsyet e shpalljes non-grata të ish-lideri demokrat, Sali Berisha – përfshirja në afera “të konsiderueshme” korrupsioni.
“Sipas nenit 7031 (c) të Departamentit të Aktit të Ndarjeve të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Përafërta, 2021 (Seksioni 7031 (c)), për përfshirjen e tij në korrupsion të rëndësishëm gjatë kohës së tij si zyrtar publik”, vëren letra e DASH-it drejtuar Zeldin.
Dokumenti cilëson edhe njëherë se “disponohet informacion i besueshëm se zyrtari ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi, në korrupsion të konsiderueshëm”.
“Informacioni i besueshëm mund të përfshijë të gjitha të dhënat burimore të klasifikuara ose të paklasifikuara, duke përfshirë raportimin e besueshëm të medias, raportimin e shoqërisë civile”, vijon shkresa zyrtare e 22 qershorit.
Lidhur me shpalljen non-grata të Berishës, Departamenti konfirmon se ka ndjekur procedurat e vendosura.
Kjo përfshin një rishikim të plotë dhe të detajuar nga të gjithë aktorët e politikave të Departamentit, duke përfshirë “byronë përkatëse rajonale, si dhe një rishikim ligjor nga Zyra e Këshilltarit Ligjor të Departamentit”.
Pra, përfshirja e Sali Berishës në korrupsion të konsiderueshëm ndodhi gjatë mandatit të tij si kryeministër i Shqipërisë.
Letra e Zeldin
Kongresmeni republikan përmes një shkrese zyrtare do i kërkonte më 8 qershor informacion DASH-it lidhur me shpalljen e ish-kryeministrit Sali Berisha, non grata.
Ai ia dërgoi letrën komisionit të ligjeve në DASH.
Kjo kërkesë erdhi pas pyetjeve që i drejtoi në Kongres, Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken.
Lee Zeldin i kërkoi Blinken-it informacione specifike për vendimin ndaj Berishës, duke e cilësuar ish-liderin demokrat si aleat të George Bush dhe kundërshtar të George Soros.
Ai theksonte se kishte bërë dhe vetë hulumtime, por s’kishte gjetur se në çfarë afere korruptive mund të ishte përfshirë politikani shqiptar.
Blinken e drejtoi kongresmenin për këtë çështje në Zyrën e Legjislacionit apo në Zyrën e Zëdhënësit për Çështjet Publike.
Tweet-i
Një tweet nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të përmblidhte një vendim Amerikan i cili fillonte si një deklaratë personale, por ishte dukshëm një deklaratë me rëndësi departamenti.
“Sot, unë jam duke shpallur caktimin publik non-grata të Sali Berishës, një ish-president i Shqipërisë, ish-kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm”.
Sipas vendimit, më në detaje, Berisha ishte përfshirë në akte korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike. Kjo do të përfshinte përdorimin e fuqisë së tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.
Për më tepër, deklarata vazhdonte me familjarët e afërt kur cilësonte se “retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë”.
Anëtarët e familjes së tij u përmendën gjithashtu si pjesë e të njëjtave kufizime.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete si kjo për të promovuar përgjegjësinë për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”.
Me këtë deklaratë, në vetëm disa rreshta, SHBA-të goditën një nga ‘simbolet’ e tranzicionit shqiptar. /Albanianpost.com