Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka marrë pjesë në një vizitë zyrtare në Zvicër, i cili është pritur në Pallatin Federal në Bernë nga presidenti i Federatës së Zvicrës, Alain Berset.
Ata kanë diskutuar mbi integrimin e lartë të qytetarëve të Kosovës në Zvicër.
Pas takimit Kurti ka mbajtur një konferencë për media, i cili ka folur për aktualitetin politik në Kosovë dhe për agjendën e mëtejshme të vizitës së tij në Zvicër.
“Me presidentin Berset njihemi që nga pjesëmarrja ime në Forumin e Davosit, në fillim të vitit. Me të kemi biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes të dy vendeve, për rritjen e madhe të këmbimit tregtar, që në vitin 2022 ka qenë për një të tretën më i madh se një vit më parë. Ne jemi në të drejtën tonë. Në fjalën që kam mbajtur më 14 shtator para mediave në Prishtinë kam sqaruar se në dialogun e fundit ne si Kosovë kemi bërë tre propozime ndërsa Serbia asnjë. Në këto rrethana, ne duhet t`i përmbahemi kornizës së marrëveshjeve që kemi marrë si detyrim”, tha Kurti.
Qendrimi i Escobar
Radio Evropa e Lirë: Z. Escobar, më lejoni të filloj me dialogun Serbi-Kosovë. Çfarë shihni si rrugëdalje nga ngërçi i dialogut Serbi-Kosovë?
Gabriel Escobar: Shikoni, në këtë moment nuk ka alternativë përveç dialogut. Pra, e rëndësishmja për të dyja palët është që të vazhdojnë t’i përmbahen dialogut. Tani, jam i sigurt që e keni parë deklaratën e z. Borrell [Josep]. Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë.
Ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë, ajo që po përpiqet të bëjë BE-ja është krijimi i kushteve për normalizim dhe, gjithashtu, për harmonizimin për integrim në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë. Pra, mendoj se përgjigjja është që të dyja palët t’i dyfishojnë përpjekjet, por pala kosovare të tregojë më shumë pragmatizëm dhe më shumë realizëm në qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian.