Erion Veliaj, kryebashkiaku aktual i kryeqytetit do të shpallet nesër, e shtune, edhe zyrtarisht si kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 30 qershorit.

Zoti Veliaj ka deklaruar se shpalljen e kandidaturës do ta bëjë nesër në orën 11:00 sheshin “Skënderbej”.

‘Ne kemi ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës, jo vetëm ata që janë anëtarë të PS, ka shumë demokratë që në njëfarë mënyre e thonë troç, ia kanë parë hairin mënyrës se si ka punuar bashkia, ju është rritur vlera e pronës, ka patur zhvillime në komunitet. Dhe unë besoj që tek bashkia, tek menaxhimi i qytetit, njerëzit janë më pak të politizuar. Shohin më shumë çerdhja, kopshti, shkolla, këndi i lodrave, pastrimi, sesa stemat e partisë. Kështu që mezi pres që nesër të takoj dhe shumë miq të mitë, demokratë, që thonë Tirana është në drejtimin e duhur. Mirë, keq, mund të mos jetë partia jonë, por gjërat po ecin për mirë. Edhe ne do të kemi këtë seancë aty, nga ora 11:00 deri nga ora 13:00, pastaj për t’u rikthyer në Pallatin e Kongreseve për disa sesione”,- tha Veliaj.

“Kemi vendosur që ditën e nesërme, që është fiks 100 ditë përpara sesa të mbahen zgjedhjet, ne të kemi edhe 100 kandidatë për Tiranën, për disa arsye. Së pari, nëse marrin apo s’marrin pjesë disa nga partitë politike, ne duhet të përgatitemi sikur do ta popullonim të gjithë listën e 61 kandidatëve. Por ka dhe diçka më shumë. Lista e Tiranës gjithmonë ka prodhuar talente edhe për skenën kombëtare. Fjala vjen në zgjedhjet e fundit, këshilltarët më të dalluar të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kaluan u bënë deputetë, disa të tjerë morën detyra të tjera të rëndësishme, dhe u desh të linin mandatin e këshillit. Do të rikandidojnë në pozicione të ndryshme, ata që tashmë kanë qenë dhe janë sprovuar në Këshillin Bashkiak, por ndërkohë do të shtohen po aq të rinj. Njerëz me shumë personalitet nga fusha të ndryshme, që edhe në eventualitetin që disa parti nuk i përfaqësojnë votuesit e tyre, do sigurohemi që ka përfaqësues të kategorive të ndryshme të Tiranës, profesioneve të ndryshme apo prejardhjeve të ndryshme, që çdo qytetar të ndihet i përfaqësuar, pavarësisht ngjyrave të partive, të paktën ngjyrat e profesionit, të vendbanimit, edhe të gjithë avokatisë komunitare”, tha Veliaj.

Veritas.com.al