Që prej nisjes së “luftës brenda PD-së”, Lulzim Basha iu është përgjigjur për herë të parë, shkurt dhe qartë të gjithë kritikëve dhe kërkesës së tyre për dorëheqje. “Beteja do të vazhdojë deri në fitore”, tha Basha për gazetaren Danjela Maloku, duke lënë të nënkuptuar se nuk ka plan të largohet nga drejtimi i PD-së.

Duket se përveç  “betejës” së nisur kundër qeverisë edhe pse pas tetë viteve në opozitë, Basha ka tashmë një tjetër betejë edhe brenda PD-së, ku të shumtë janë zërat që kanë kërkuar largimin e tij dhe i kërkojnë që të marrë përgjegjësi për humbjen në këto zgjedhje.

Situata brenda PD-së nuk është shumë e qetë që pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, që pasohet nga disa humbje të tjera të kësaj force politike nën drejtimin e Lulzim Bashës. Para selisë blu janë zhvilluar protesta nga demokratë të zhgënjyer të cilët kërkojnë jo vetëm largimin e tij, por dhe hapjen e partisë dhe debatit politik brenda saj.

Me herët, Edith Harxhi, Endira Bushati, Bujar Nishani, Ibsen Elezi, Bislim Ahmetaj, Arben Imami, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Pirro Ahmetaj dhe Endrit Hoxha përmes një deklarate janë shprehur se Lulzim Basha ka dëmtuar opozitarizmin në vend duke e lënë atë në dorën e Ramës.  Ndër të parët të cilët kanë kërkuar shkarkimin e Bashës ka qenë anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli, më pas ish-presidenti Bujar Nishani, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Edvin Kulluri dhe shumë të tjerë.

Partia Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit ka arritur të sigurojë 59 mandate nga 46 që kishte në 2017.

VERITAS.COM.AL