Gjykata e Apelit në New York ka rrëzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës të presidentit të zgjedhur Amerikan Donald Trump për të ndalur dënimin e tij mbi çështjen e pagesave të fshehta. Shpresa e fundit për republikanin mbetet tashmë Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nëse edhe Gjykata e Lartë hedh poshtë argumente e ekipit mbrojtës të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump do të dënohet të premten mbi 34 akuzat për të cilat Gjykata e Nju Jorkut e shpalli fajtor në muajin maj të vitit të shkuar.
Ekipi i Prokurorit të Nju Jorkut, Alvin Bragg deklaroi në Gjykatën e Apelit të Nju Jorkut këtë të enjte se i pandehuri nuk mund të kërkojë ndalimin e dënimit ndaj tij duke minuar kështu Institucionet e drejtësisë. Ata shtuan se dënimi i Trump nuk ka asnjë ndikim mbi tranzicionin e pushtetit në SHBA dhe në Sigurinë Kombëtare.
Nga ana tjetër ekipi ligjor i Trump vijoi të insistonte se dënimi I presidentit të zgjedhur ishte antikushtetues dhe se çështja ishte e motivuar politikisht.
Në mesin e 34 akuzave për të cilat Trump u shpall fajtor ne muajin maj te vitit te shkuar ishte edhe ajo e pagesës së 130 mijë dollarëve për Stormy Daniels në vitin 2016. Trump kishte blerë heshtjen e aktores së filmave për të rritur përpara se të merrte mandatin e tij në Shtëpinë e Bardhë në mënyrë që aktorja të mos tregonte se kishte pasur marrëdhënie intime me Trump në kohën që republikani ishte i martuar. Trump e kishte deklaruar pagesën prej 130 mijë dollarësh një pagesë ligjore duke gënjyer kështu autoritetet.
Donald Trump është presidenti apo ish presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që është shpallur fajtor për akuza penale.
Komente