Departamenti i Shtetit e ka renditur zyrtarisht Shqipërinë në listën e Vendeve Kryesore të Pastrimit të Parave në botë.
Sipas kritereve ligjore, qeveria amerikane konsideron “Vend Kryesor të Pastrimit të Parave” atë vend “institucionet financiare të të cilit janë të përfshira në transferta parash që përfshijnë sasi të ndjeshme të ardhurash që burojnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës.”
Ky vendim është bërë i njohur në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kontrollin e Narkotikëve për vitin 2017, i cili sapo është bërë publik.
Raporti përgatitet çdo vit nga Departamenti i Shtetit për Kongresin e SHBA-ve dhe mbulon gjendjen dhe përpjekjet vendeve të ndryshme të botës në luftën kundër drogës dhe pastrimit të parave.
Raporti i këtij viti, që mbulon vitin 2016, thekson se Shqipëria është bazë e krimit të organizuar, pikë e rëndësishme e trafikut ndërkombëtar të drogës, vend ku pastrohen lehtë paratë dhe ku sundon korrupsioni i shfrenuar.
Përfundimet kryesore të raportit janë:
1.Shqipëria është bazë për operacionet rajonale të organizatave të krimit të organizuar.
2.Shqipëria prodhon dhe trafikon sasi të konsiderueshme marijuane, kryesisht për tregun Europian.
3.Shqipëria është vend tranziti për heroinën dhe kokainën afgane.
4.Shqipëria shërben si një pikë kyçe për shpërndarjejen e heroinës në të gjithë Europën.
5.Paratë e krimit pastrohen me lehtësi në Shqipëri.
6.Shqipëria ka korrupsion të shfrenuar dhe institucione të dobëta.
7.Shqipëria ka kontroll të dobët të kufijve dhe zbatim të dobët të ligjit në dogana, çfarë lehtëson trafiqet e paligjshme.
8.Pasuritë e paluajtshme, veçanërisht në zonat bregdetare, projektet e zhvillimit të biznesit, dhe lojërat e fatit janë metodat më popullore të fshehjes së të ardhurave kriminale.
9.Organizatat e zbatimit të ligjit janë joefikase në luftën kundër pastrimit të parave.