Udhëheqësit në Kosovë dhe Serbi duhet të marrin vendime të vështira dhe të tregojnë kuroja, në mënyrë që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin e shteteve të tyre.
Kështu u shpreh, këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në një intervistë për zërin e Amerikës. Ai tha se propozimi i Bashkimit Evropian për një marrëveshje të mundshme është në drejtim “të mirë”.
Propozimi i BE-së, i njohur edhe si plani franko-gjerman, parashikon të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Por, në tekstin e propozimit, nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Chollet pritet të vizitojë së shpejti Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Ai tha se do të bisedojë me liderët për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën që kriza të tilla të mos përsëriten. Zyrtari i lartë amerikan foli edhe për çështjen e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar një prioritet.