(FOTO: Ilir Meta, kryetar i Kuvendit, duke dalë nga negociatat i tradhëtuar dhe i zhgënjyer nga aleati)/

Nga Laert Skiro/

Mbrëmë në Pallatin e Kongreseve, ranë negociatat për zgjidhjen e krizës politike në vend. Të dërguarit e BE morën rrugën e hoteleve, lanë çantat dhe zbritën në restaurante për darkë. As ‘i famshmi’ David McAllister dhe as ‘vizitori i zakonshëm’, Fleckenstein nuk arritën gjë.

Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit- aleatë në qeveri, dolën nga salla të tradhtuar nga njëri tjetri. ‘Atë që deshe, ta dhashë!’ është dëgjuar Ilir Meta t’i thotë Edi Ramës. Ndërsa Ilir Meta, i zhytur në një pesimizëm dhe fyerje të rrallë ka mërmëritur nëpër dhëmbë: “E si shkohet në zgjedhje kështu?!”.

Kaq ishte. Kryeministri ka shkuar në punën e tij, i lumtur se e rrëzoi edhe institucionin e fundit “bisedime”. Deri tani janë rrëzuar presidenti i Republikës, Kuveni, Drejtësia, Avokati i Popullit dhe Zgjedhjet… Mbrëmë ranë edhe negociatat, që tashmë në fushën e politikës quhen ‘institucion’.

Të dërguarit e BE, sapo lanë çantat thanë se ‘nuk do të ketë më negociata’ nga BE. Ai ka shtuar në mënyrë jo të qartë se ‘njoh disa vende të Europës që ju mbështesin’. Por sidoqoftë ka lënë të nënkuptohet se ‘ne të BE dorëzohemi’. Kryeministri i Shqipërisë e di pazotësinë e BE për zgjidhje krizash; e di se BE ka për vete një krizë. Prandaj edhe sillet në mënyrë anti-demokratike.

Kryeministri nuk ka pranuar kushtet e opozitës, as të BE dhe as të aleatit në qeverisje LSI. Ai ka qenë i gatshëm të lëshojë disa ministra, të lëshojë komisarët e Policisë, datën e zgjedhjeve, et., por jo postin e tij. Analistët kanë konstatuar se Rama është gati të rrëzojë edhe pluralizmin politik duke shkuar në zgjedhje i vetëm, pa opozitë…

Tani që ndërkombëtarët, dmth., dërgatat e BE dështuan, Shqipëria mbeti përsëri në dorë të atyre ku ishte. Opozita që ndjen rrezikun e kriminalizimit të shtetit, nuk largohet nga protesta. Kryetari i Opozitës sot nga Çadra e Lirisë tha se ‘pas kësaj fjalën e merr mosbindja qytetare’ dhe ‘çlirimi i shesheve dhe rrugëve’ përmes lëvizjes popullore.

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria mbetet vetëm ‘pa ndërkombëtarët’. Thuajse në një ditë të keqe si kjo, atëherë kur po instalohej fort monizmi politik dhe diktatura, ne mbetëm pa ‘ndërkombëtarë’. Përpjekja më e fundit, ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ‘çlirimin’ e Shqipërisë nga dhuna, dështoi; ishte viti 1950. CIA Amerikane dhe Ml6 e Britanisë së Madhe dështuan në malet e Shqipërisë përballë ‘kokëfortësisë’ së qeverisë së Tiranës për ta mbajtur vendin nën dhunë dhe izolim.

Dështimi i ndërkombëtarëve nuk është çudi e madhe, sidomos përballë qeverive autokratike dhe arrogante. Edhe kësaj here nuk mund të thuash se ndodhi e jashtëzakonshmja. Kësaj here është një tentativë e qeverisë për të pritur ‘kohët e këqija’ që priten në Ballkan, në Shqipëri ose edhe në politikën e vendit. Nëse do të gjunjëzohet koha, dmth., protesta,  vetë ndjeshmëria qytetare dhe institucionet perëndimore (që nuk janë vetëm BE), atëherë fiton përsëri pushteti monist.

/Veritas.com.al/