Sokol Dema, Report TV
Një aksion anti-drogë i Policisë së Shtetit në afërsi të zonës së Varrit të Bamit në kryeqytet ka dështuar. Policia kishte informacione se në këtë zonë qarkullonin disa persona që konsiderohen si të fortë lagjesh, shpërndarës të lëndëve narkotike me doza.
Report TV ka siguruar pamjet e momenteve kur agjentët e operacionales i drejtohen një mjeti tip “Mercedez Benz”, të cilit i kërkojnë të ndaloj dhe të hapte derën. Drejtuesi i mjetit ka refuzuar urdhërin e policisë për të ndaluar.
Vetëm pak çaste më vonë, makina niset me shpejtësi, duke rrezikuar njërin prej efektivëve dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Arratia nuk ka zgjatur shumë pasi efektivët janë vënë në ndjekje të tij dhe e kanë kapur pas 1 ore. Së bashku me makinën, i arrestuarit ndodhet në komisariat.
Pas këtij operacioni të dështuar, efektivët e policisë i kanë marrë celularin nga dora një gazetari që po filmonte në afërsi. Gazetari Ergys Gjençaj është shtrirë përtokë nga efektivët e policisë.
Në lidhje me rastin ka reaguar Prokuroria e Tiranës, e cila deklaron se në bashkëpunim me SHÇBA po kryen verifikime në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë operacionit policor antinarkotikë në nje zonë të Tiranës. Bashkë më SHÇBA po hetohet rasti, mbi veprimet e kryera nga punonjësit e policisë për të përcaktuar ligjshmërinë e veprimeve te tyre.
Burime nga policia bëjnë me dije se në lidhje me këtë operacion janë ndaluar tre persona, si dhe është sekuestruar një sasi lënde narkotike.