Ka dështuar edhe mbledhja e dytë e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Rithemelimi nuk lejoi zhvillimin e mbledhjes dhe anëtarët socialistë u larguan nga salla pas debateve.

Mbledhja ishte parashikuar të mbahej sot, por deputetët kanë përdorur sërish të njëjtën strategji duke u futur në sallë dhe më pas janë janë ulur në karriget e anëtarëve të komisionit.

Nisur nga kjo situatë e përsëritur, Kuvendi ka vendosur që sot në 12:00 mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore të mbahet online.

‘Për çfarë paguhemi, për çfarë vijmë ne këtu”, dëgjohet të thotë Ervin Salianji duke iu drejtuar Damian Gjiknurit.

Bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj dhe anëtarët e PD-së zyrtare nuk u paraqitën, njësoj si herën e kaluar kur deklaruan se munguan për shkak të kaosit të krijuar.

Kujtojmë se mbledhja u bllokua edhe të premten e kaluar nga deputetët e Rithemelimit.

Grupi Bardhi-Berisha kërkon ndryshimin e përbërjes së komisionit, ku në vend të Alibeajt kërkojnë të vendosin bashkëkryetar Oerd Bylykbashin e Rithemelimit. PD u shtriu dje dorën e bashkëpunimit që të ulen në diskutime dhe të dalin me një draft.