“Dhuna po e kthen prapa Kosovën”. Kështu të paktën ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg në një intervistë për të përditshme malazeze “Pobjeda” duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në vendet e tyre të punës, nën asistencën e Policisë së Kosovës.
Për shefin e NATO-së, tashmë është e qartë se dhuna përveç se po kthen parapa Kosovën, po i vënë në pikëpyetje edhe aspiratat e saja euroatlantike.
Prandaj sugjeron ai që si “Prishtina edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog me mbështetjen e BE-së, e cila është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme”.
Stoltenberg, javë më parë deklaroi se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.
Megjithatë ai për Pobjedan ka bërë të ditur se NATO do të dërgojë edhe rreth 500 ushtarë të tjerë nga rezerva operative për Ballkanin Perëndimor.
Ai ka siguruar gjithashtu se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirin e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovës.
“NATO dënon fuqishëm sulmet e fundit të paprovokuara ndaj trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, në të cilat u plagosën pothuajse 40 paqeruajtës. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.