Konflikti për motive të dobëta i ka marrë jetën një 50-vjeçari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Luzni të Dibrës.
Policia ka mundur të arrestojë një prej vëllezërve, ndërsa ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin i cili është larguar në drejtim të pyllit.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip automatik, me të cilën dyshohet se dy vëllezërit kanë plagosur 50-vjeçarin, ndërsa policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Plagosën me armë zjarri një shtetas, me pasojë vdekjen e tij, falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të Policisë, kapet dhe vihet në pranga një nga autorët e dyshuar të ngjarjes.
Shpallet në kërkim bashkautori tjetër i dyshuar.
Sekuestrohet edhe arma me të cilën dyshohet se autorët kanë plagosur me pasojë vdekjen, 50-vjeçarin.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, pas marrjes së informacionit se në fshatin Luzni, Dibër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dy vëllezër kishin plagosur me armë zjarri fqinjin e tyre, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë reagimit të shpejtë dhe profesional kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e njërit prej autorëve, shtetasin M. M., 30 vjeç, banues në fshatin Luzni, Dibër.
Ndërkohë vijon ndjekja dhe krehja e zonës për kapjen e bashkautorit tjetër të ngjarjes, shtetasit A. M., 42 vjeç, i cili pas ngjarjes është larguar në pyll.
Dy vëllezërit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se dy vëllezërit kanë plagosur 50-vjeçarin.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.
VERITAS.COM.AL