Frrok Çupi/
Kur ke bërë atë rrugë aq të gjatë, si qenie humane, për të ndërtuar dinjitetin si vlerë themelore…, ke bërë ligje, ke ndërtuar etikë, status, vlerë, krenari për përkatësinë kombëtare, kufizime, frustrime, sakrilegje, pyetje, dilema, tensione…, o sa shumë, e për çfarë?! Ia vlen: Për të arritur dinjitetin në pikën ku plotësohesh në vlerën tënde themelore!
…. Vjen një çast dhe ti e shkel me këmbë atë ‘kështjellë’ që të mban si njeri, si profesionist, si prind, si burrë a grua, si shqiptar! Po shikoj një gjë kaq të rëndë rretherrotull meje. Po i lë mënjane politikanët, edhe ata që paguhen me dy lek nga politikanët, edhe ata që nuk kanë mundur të mendojnë kurrë për dinjitet.
Por po flas për kolegët e mi, gazetarët.
Gazetarët i shikoj tani si milingona që kalojnë poshtë shalëve të ‘Gjigandit të Rodit’, sipas legjendës greke të djalit të zotit Helios që shtrihej në ishullin me të njëjtin emër, në vitet 280 para Krishtit. Dhe ky ‘Kolos i Rodhes’ është gazetari gjerman i Bild, më duket me emrin Petre- a të betohem nuk e di si e ka emrin. Më vjen të plas se si e kanë shkelur dinjitetin e vetes këta gazetarë shqiptarë…
Mblidhen mbrëmjeve nëpër studio televizive dhe ulin kokat nën madhështinë e Petres, zgjohen në mëngjes dhe nisin e dërdëllisin si në jerm emrin e Petres; flasin me fëmijët dhe papritur u përmendin Petren; vijnë politikanët dhe thonë se ‘Petre e çliroi Shqipërinë’… megjithëse nuk desha të flas për këtë specie pa dinjitet: politikanë.
Po specia e gazetarëve! E shikoj tërë specien si është strukur poshtë këmbëve të ‘Kolosit’ dhe lutet që zoti një ditë ta mbysë ishullin e lashtë pranë Qipros, domethënë këtë vendin tonë këtu që thonë se ‘nuk bëhet kurrë’ Shqipëria.
Po çfarë ka bërë ky ‘Kolosi i Bild’?… Më mirë duhet të pyesim ‘çfarë u ka bërë këtyre njerëzve? Shkurt: Iu ka telendisur atdheun dhe kombin këtyre gazetarëve shqiptarë. U ka thënë se ‘shteti shqiptar është një shtet mafioz’, fjalë për fjalë kështu. Të të thotë dikush ‘shtet mafioz’ thjesht të ka sharë si dikush në rrugë, paturpësisht e ‘poshtë brezit’ dhe ti io duhet të mbrosh dinjitetin, o ta refuzosh atë krijesë që ta bëri. Këta të gjithë janë gëzuar nga shpikja e Petres dhe janë strukur poshtë këmbëve të tij të shtrira cep më cep ishullit të kombit.
Po si nuk e pyeti dikush këtë gazetarin Petre: “More vëlla, sa kohë t’u desh ty që të formuloje këtë thënie të tmerrshme ‘komb mafioz’!? Ai vetë ka pohuar se me ‘studimin’ e tij për shqiptarët ‘me bisht’ ka nisur në vitin 2017 dhe ka mbaruar në fillim të vitit 2019. Domethënë për një vit, pasi ka ardhur dy a tre herë në Tiranë, ka gjetur definicionin se ‘ky është komb (shtet) mafioz’. Platea e gazetarëve shqiptarë duartrokiti dhe u gëzua; tani Petren e kanë idhull mbi kokë.
Po mirë more kolegu im gazetar shqiptar, po a kaq i etur paske qenë që të të shajë dikush si ordiner dhe ti ta quash këtë ‘gazetari’ dhe ‘shkencë’!? A kaq shumë të rëndonte dinjiteti individual dhe dinjiteti i kombit?!
Po mirë, more kolegu im, po a nuk i ke bërë ndonjë pyetje tjetër, si zanatçi i letrave; se edhe ti gazetar je, nuk je mizë, mandej ke ca parime profesionale.
A ke një parim ti se lajmi shkruhet nga gazetari dhe nuk kopjohet nga një shkresë që gjen në rrugë dhe haj!, fute në gazetën Bild? Po atëherë pse të mahnit fakti që ky Petre shkeli mbi parimin dhe vodhi shkresa të vjedhura në prokurorinë e Tiranës dhe i futi ‘rifuxho’ në Bild? Të tilla shkresa mori edhe Klodiana dhe i çoi në VOA, por ajo ishte shqiptare e nuk kishte vlerë (!)/
A ke një parim ti kolegu im, që një ‘fakt’ e shikon në disa anë, të paktën në dy anë- minimum? Ky Petre i Bild kishte ardhur, paska ‘përgjuar’ ( gjë që nuk është e vërtetë) vetëm njërën palë që fuste dorë në zgjedhje… Po pala tjetër…, flori? Të gjithë shqiptarët, madje edhe gjermanët, e dinë se zgjedhjet manipulohen, madje jo vetëm nga një dorë. Jo, por për gazetarin Petre qenka e lejuar që të ‘përgjojë’ vetëm njërin kur flasin të dy me njëri tjetrin!… Marrëzi.
A ke një parim, ti kolegu im, që nuk mund t’i deformosh thëniet e ‘heroit’ tënd? Po atëherë pse zvarritesh poshtë këmbëve të ‘kolosit’ vetëm pse ai shan kombin tënd duke deformuar shumicën e atyre që dikush tjetër i ka regjistruar?!
A ke edhe një parim, (që në fakt e kemi marrë nga Londra e nga Berlini) se një gazetar kur shihet në shoqëri politikanësh, atëherë ai ‘digjet’, nuk është më i besueshëm në publik. Ky Petre ka ardhur këtu dhe ka ngritur një ‘puzzle’ të tërë në bashkëpunim me partitë e opozitës; tani i lëshon vjedhjet e vjedhura nga dosjet e prokurorisë sa herë një politikan ‘i tij’ këtu rrezikohet nga Drejtësia…. Po sa turp për kolegët e mi që mahniten nga specie të papranueshme për parimet e vendit të tyre; të papranueshëm për Evropën por mjafton që na shajnë dhe trazojnë kombin tonë. Kolegët e mi po jetojnë me ‘famën’ e Petres, sa krupë.
Sa poshtë, more! Ta shkelësh dinjitetin tënd kështu është mortje.
Veritas.com.al/