Qeveria e Shqipërisë nuk ka treguar asnjëherë sinqeritet ndaj politikës së Kosovës. Luan politikën “për vete”. Ta kenë mirë me Kosovën në një ditë të vështirë për mua. Ditët e vështira të Kosovës, nuk mund të krahasohen me karriget qeveritare në Tiranë.
Pushteti paralel në Kosovë po lavdërohet shumë nga qeveria shqiptare. Ky tingëllon si akt patriotik dhe i lidh kosovarët me zyrtarët e Tiranës.
“Pushteti paralel” në kohën tonë është unikal; teoria e shtetit nuk e njeh. Krijesa origjinale e Rugovës dhe përkrahësve deri tani ka mbetur si një nocion i pakuptimtë. Megjithatë, përderisa klasa politike në Kosovë, e do këtë krijesë, këndej në Shqipëri nuk mund të jemi a-priori kundër. Mund ta shikojmë si funksionon.
Përderisa ngjarjet tragjike në luftën e Bosnjë dhe konflikti i armatosur mes serbëve e kroatëve krijuan probleme urgjente edhe për Kosovën, mendohej se ende nuk ishin krijuar kushte për të provuar teorinë e pushtetit paralel. Jo vetëm njerëzi të zakonshëm, por edhe studiues të evolucionit të shtetit, po presin të shikojnë se si do të funksionojë pushteti paralel . Tani është klima më e përshtatshme: Lufta e armatosur ndëretnike është ndezur në veri, dhe rrezikon që të shtrihet në Jug. Pra rrezikohet Kosova.
Që nga Kosova në Europë po reagojnë ndaj kolonizimit të Kosovës. Afrimi i rrethanave të luftës do të thotë përgatitje e popullatës për një mënyrë jetese të ndryshme nga ajo e paqes.
Atëherë, cili është roli i pushtetit paralel?
Në qoftë se një pushtet ekziston, qoftë edhe paralel, ai ekziston pse kontrollon, qeveris dhe u hap rrugë ngjarjeve.
Praktikisht nuk po ndodh gjë. Po të lexosh nga shtypi i huaj, apo kosovar, pjesë që trajtojnë ardhjen e kolonëve në Kosovë, vëren se asnjë shifër nuk përputhet me tjetrën. Ndërkohë askush nuk iu referohet shifrave me burim nga pushteti paralel në Kosovë.
Aq më tepër, në kronikat që përgatisin lajmëtarët nga Kosova me burim prej QIK (Qendra për Informim e Kosovës), tregojnë drejtpërdrejt se nuk janë në gjendje të japin shifra të sakta se sa kolonë kanë ardhur në Kosovë, “për shkak se pushteti serb e ka mbyllur burimin e informimit”. (Ref. kronikave televizive në RTVSH). Pra del se ndërsa pushteti serb në Kosovë funksionon por nuk jep shifra, pushteti paralel kërkon shifra por nuk funksionon. Po të ishte interesante, mund të kujtonim disa pasazhe nga kronikat televizive.
Dy ditë më parë kronikani nga Prishtina tha për televizionin shqiptar se “nuk kemi asnjë të dhënë sa kolonë kanë ardhur, por kemi parë se në ballkonet e hoteleve varen shume ndërresa, dhe kjo tregon se me siguri kanë ardhur kolonë”.
A mund të thuhet se ka seriozitet dhe aq më pak pushtet, në këtë mes?
Kosova ka votuar Parlamentin dhe Parlamenti ka zgjedhur qeverinë. Ku janë sot qeveritarët? Jashtë Kosovës. Edhe vetëm ky fakt do të mjaftonte për të dëshmuar se në pushtetin paralel, njëra paralele ndodhet në Evropë
Ardhja e kolonëve në Kosovë do të krijojë probleme për banorët etnikë shqiptarë, të cilët zënë rreth 90 për qind të banorëve. Problemet do të jenë ekonomike, sociale, të punësimit, të hapësirave të banimit, etj. Ky është një konstatim normal në kushte kolonizimi. Çfarë bën qeveria e dubluar kosovare? Cilat janë projektet e punësimit, të banimit, të shkollimit? Cili është projekti në rast të një keqësimi të mëtejshëm të situatës?
Nuk ka.
Ndërsa qeveria e Shqipërisë nuk ka treguar asnjëherë sinqeritet ndaj politikës së Kosovës. Luan politikën “për vete”. Ta kenë mirë me Kosovën në një ditë të vështirë për mua.
Ditët e vështira të Kosovës, nuk mund të krahasohen me karriget qeveritare në Tiranë.
Gusht, 1995
Bomba në Kosovë, Tirana hesht
Në trevat ku banojnë shqiptarë etnikë jashtë kufijve shtetërorë, ditët e fundit kanë ndodhur dy “shpërthime”. Të parat ishin në Kosovë, ku shpërtheu fuqishëm eksploziv.
“Bomba” e dytë u ndie në Tetovë, ku u burgos rektori i Universitetit shqip. Opinioni, si brenda ashtu edhe jashtë, priti se si do të reagonte qeveria shqiptare.
Përveç frazave antisllave, që tashmë dihen.
Kanë kaluar disa ditë, ende Qeveria Shqiptare nuk ka reaguar.
Pse vallë?. Kjo qeveri e vetëshpallur patriote deri në rapsodi, nuk reagon për ngjarje që “gjëmojnë” në tërë Ballkanin.
Sapo u mor vesh se bombat ishin vënë nga shtetas të origjinës shqiptare në Kosovë, Berisha heshti. Kjo, të paktën, të bën të gjykosh se kreu i shtetit shqiptar nuk reagon kundër krimit dhe terrorizmit të kryer prej njerëzve “të palës së tij”. Do të ishte në nderin dhe ndërkohë në detyrën e shtetit shqiptar, që të ndëshkojnë çdo akt terrorist, pavarësisht se cili e kryen atë, qoftë serb, qoftë shqiptar. Aq më tepër kur në akte të tillë janë të ngatërruar “të tutë”.
2. Reagimi i shtetit do të ishte i domosdoshëm aq më tepër që shpesh herë është lënë të nënkuptohet se në aktet e terrorit në Kosovë, ka gisht Berisha. Shteti do të nevojitej të reagonte dhe të distancohej. Shteti nuk guxon të jetë i hapur në këtë pikë. Me heshtjen ndaj bombave në Kosovë, afekton politikën e brendshme; ai do të ketë në krah kosovarët për zgjedhjet lokale në Shqipëri. Kur dëgjohet për bomba, kjo krijon frikë se përkrahësit e ardhur nga Kosova do të përdorin forcën. Po spekulohet me shqiptarët e Kosovës.
Samiti i dy presidenteve, serbit Millosheviç dhe kroatit Tuxhman në Athinë, në prani të kryeministrit grek, u shoqërua me reagimin e menjëhershëm të Konferencës Islamike. Vunë alarmin për “aleancat kristiane në Ballkan”.
Këndej vjen përsëri (me një pamje tjetër), pyetja pse nuk reagoi qeveria shqiptare ndaj terrorit në Kosovë. Shqipëria si anëtare në Konferencën Islamike nuk mund të reagojë në drejtimin ndryshe nga Konferenca Islamike. Por ç’të bëjë? Të deklarojë “mbrojtjen e myslimanëve në Kosovë”?, siç bënë islamikët? As këtë nuk e bën dot. As të kundërtën , ndëshkimin e bombave.
Në qoftë se e vërteta e çon qeverinë shqiptare në heshtje ndaj terrorizmit, për shkaqe religjioze, atëhere kjo përbën një fatkeqësi për fatet e Shqipërisë.
Gusht, 1996
Ndarja e Berishës nga Kosova do të ishte një dobi
Në radhë të parë dobi për Kosovën. Formulimi “shteti amë”, i krijuar për t’u përdorur në Kosovë, i sillte politikës së Kosovës rrezikun që kjo krahinë të mbetej pa shtet. Kosovarët nuk morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të kaluara, duke mbetur të papërfaqësuar në Parlament; gjë që u vu në kritikën e analistëve perëndimorë.
Romantizmi i ushqyer prej Berishës dhe prej folklorit të vjetër, sikur shqiptarët kudo në botë njohin vetëm një shtet, që do të dëmtonte shumë imazhin dhe interesat e tyre qytetare. Kjo është njëra anë e dobisë.
Ana tjetër është se Berisha duke humbur kredibilitetin politik mes zgjedhësve të tij në Shqipëri, la të nënkuptonte se admirohet prej shqiptarëve të Kosovës. Kjo mjaftoi për të krijuar klimë të ftohtë mes bashkëkombësve në të dy anët e kufirit.
Distanca Berishë – Kosovë është në dobi të shtetit
Është fjala për distancën normale të një presidenti shteti dhe bashkëkombasve që ndodhen jashtë kufijve të shtetit. Në qoftë se deri më sot qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë ndryshim gjatë 100 e ca ditëve të ekzistencës së dytë, kjo është justifikuar edhe me “politikën e madhe”. Kjo na qenka politika e “stabilitetit në rajon”, politika për të siguruar aleatë për Kosovën, politika për të pritur e përcjellë Rugovën e Bukoshin.
Ndërkohë që kryeqyteti i Shqipërisë nuk ka ujë, kur rrugët janë të shkatërruara, kur Shqipëria eksporton vetëm njerëz, etj. etj. Puna më urgjente që ka nëpër duar sot bota rreth Shqipërisë, janë zgjedhjet e manipuluara. Lidhja e fatit të demokracisë shqiptare, me një problem të nxehtë etnik në Kosovë, është bërë me qëllim dhe e ka lënë në harresë modernizimin e shtetit shqiptar. Shtator1996/ Fjala
( Marrë nga libri: ‘E pashë shtetin duke rënë’).