Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka sqaruar propozimet për ndryshimet ligjore, që prekin çështjen e fundit, atë të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.

Në një konferencë për shtyp, Balla konfirmoi se socialistët kanë hartuar një paketë ligjore, ndërsa tha se ka të dhëna shtesë për dosjen e spiunit I.M.

 Sipas Ballës, personat që rezultojnë si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit do t’u pamundësohet hyrja në Kuvendin e Shqipërisë.

“Një përmbledhje të të gjithë nismave, janë një paketë. Në fund të korrikut është depozituar një nismë nga grupi i PS për dy ndryshime në dy ligje, njëri për Autoritetin e Dosjes dhe një në lidhje me ligjin për zgjedhjet. Nisma është depozituar pas propozimit nga Autoriteti.

Ajo ka nisur për të hedhur dritë mbi pastërtinë e figurave, nisur nga rasti i evidentuar tashmë për një politikan të nivelit të lartë që ka mbajtur pozicione shumë të rëndësishme në Shqipëri dhe që mbi këtë politikan kanë rezultuar dokumente të reja shtesë dhe ekzistojnë disa pengesa nga ligji aktual për vijimin e shqyrtimit të pastërtisë së figurës.

Në Shqipëri në 30 vite ka pasur raste të tjera të cilat kanë arritur ti shmangen përgjegjësisë morale e jo vetëm e të arrijnë në herarkinë më të lartë shtetërore, duke dëmtuar jetën e shumë personave që kanë vuajtur krimet e Sigurimit.

Jo vetëm që këto fakte duhen bërë publike, por të pamundësojmë vazhdimin e ngjitjes së tyre në karrierë dhe hierarki dhe të pamundësohet kandidimi i tyre si anëtar i Kuvendit të Shqipërisë. Ky është draft pune”, tha ai.

Mes të tjerash, Balla u ndal dhe te vendimi i SHBA dhe i Britanisë së Madhe për ish-kryeministrin Berisha, që e shpallën kreun e PD non-grata.

“Non-grata është marrë nga SHBA dhe nga Britania dhe qëllimi ynë është i qartë; i takon organeve të drejtësisë. I bëj thirrje SPAK që në dritën e akuzave të ngritura nga SHBA dhe së fundmi nga letra që i është dorëzuar Berishës nga Britania e Madhe, unë mendoj që është koha e përshtatshme dhe në rastin tjetër janë bërë publike edhe elementet korruptive dhe lidhjeve të tij politike që i takojnë drejtësisë.

Kjo nuk është çështje që adresohet në këtë paketë. Sa i përket asaj që kam thënë është se vazhdoj të mendoj se Berisha është përfaqësues i lartë i Partisë së Punës. Drejtësia të nisë”, pohoi ai.