Hetimet e prokurorisë për shembjen e godinave në Durrës çuan një ditë më parë në arrestimin e 9 personave dhe shpalljen në kërkim të 8 të tjerëve. Ata akuzohen për akuza të rënda, si vrasje me dashje, vrasje në rrethana të tjera cilësuese, shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve.

Televizioni Klan ka siguruar një pjesë të dosjes së prokurorisë së Durrësit, ku detajohen shkeljet e bëra nga ndërtues, zyrtarë të shtetit dhe investitorë. I tillë është rasti i shembjes së pallatit 6 katësh në lagjen 6 të Durrësit, ku në 26 Nëntor humbën jetën Hatije Rexhepi dhe Xhulieta Gjana.

Prokurorët thonë se nga hetimet ka rezultuar se shkak për shembjen e pallatit janë bërë ndërhyrjet në katin e parë, nga pronari i një bar kafeje, për të përfituar më shumë hapësirë.

“Nga hetimi rezulton se në katin e parë të ndërtesës është ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në vitin 2014, e në vazhdim nga i dyshuari Artur Terziu duke prishur strukturën e mureve mbajtëse, etj me qëllim përshtatjen e ambienteve për qëllime tregtare “Bar Kafe” të emërtuar “Barons” duke e lidhur shtesën pa leje, të kryer në të tre anët e këtij objekti. Po kështu për qëllime dhe në funksion të biznesit ai ka instaluar dhe 3 depozita uji voluminoze”.

Por shkeljet e pronarit të bar kafes që është ende në kërkim, janë legalizuar nga ish-drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Flamur Gjuzi.

“Nga sa më sipër rezulton se ekzistojnë dyshime të bazuara se nga ana e shtetasit Flamur Gjuzi në cilësinë e ish-drejtorit të ALUIZNI-t Durrës ka legalizuar në datë 17.05.2016 për objektin në kundërshtim me ligjin i cili dyshohet se ka kryer elementët e veprës penale “shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”.

Edhe ish-kreu i ALUIZNI-t për Durrësin është në kërkim nga policia. Hetimet e prokurorisë janë përqendruar në të 7 ndërtesat e shembura, si Konvaleshenca, hotel Mira Mare, hotel Tropikal, hotel Vila Palma, pallati 6 katësh dhe banesa e familjes Lala. Nga rrënojat e tyre u nxorrën të pajetë 23 persona. Organi i akuzës thotë se hetimet vijojnë dhe se priten arrestime të tjera.

VERITAS.COM.AL/