TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër arresti për Jamarbër Malltezin. Sipas burimeve të Abc News, Jamarbër Malltezi është arrestuar në ambientet e Aeroportit të Rinasit  nga policia.

Sakaq, ai nuk dihet nëse po tentonte të ikte nga Shqipëria. Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha po hetohet për privatizimin të ish klubit sportiv “Partizani”.

Ai dyshohet të ketë konsumuar veprën penale pastrim parash.

Padia në SPAK për këtë dosje është dërguar nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në kohën kur ishte kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Konkretisht, bëhet fjalë për një pronë me rreth 10 000 m2, në qendër të Tiranës, e cila në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100 000 dollarë.    Klubi sportiv “Partizani” ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa sot mbi të  janë ngritur 17 kulla.