Niveli më i ulët e euros në Shqipëri që nga viti 2009, ka arritur këto ditë. Një euro sot mund të shkëmbehet me 134, 24 lek.
Ekspertët financiarë thonë se janë dy arsye të forta:
E para, fluksi i eurove i përfituar nga trafiku i drogës në Europë, dhe
E dyta, fillimi i hedhjes në tregun e fushatës elektorale ku blihen votat, e një sasie të madhe lekësh.
Revista ekonomike “Monitor” bën një analizë, sipas së cilës:
“Arsyeja kryesore lidhet me ofertën e lartë për valutë në tregun vendas, nga burime të dukshme e të padukshme”.
“Nga burimet e padukshme është valuta e lartë që qarkullon nga masivizimi i shitjes së hashashit…Një tjetër faktor i padukshëm, sipas ekspertëve është fillimi i shpenzimeve zgjedhore, që këtë vit po kryhen edhe në valutë” shkruan “Monitor”.
Sipas revistës në këtë kurs këmbimi kanë luajtur rol edhe ato që ajo i quan faktorë të dukshëm.
Faktorët e dukshëm janë: “…rritja e të ardhurave nga turistët, gjallërimi i lehtë i remitancave, rritja e lehtë e eksporteve (megjithëse kjo e fundit ka ardhur nga eksportet që tregtohen në dollar, si psh nafta), apo dhe kërkesa për monedhën vendase nga disa kompani të mëdha që përgatiten të paguajnë taksat, si psh TAP. Sot është data 11 dhe po afrohet data 14 e TVSH-së dhe data 20 e pagesës së sigurimeve, ku çdo muaj konstatohet forcim i lekut me afrimin e këtyre datave”.
Por, specialistët mendojnë se pavarësisht nga faktorët që ndikojnë nuk parashikohet që Euro të forcohet përballë lekut së paku deri nga datë 20 maj.
Ata parashikojnë që në muajt e verës, kur tradicionalisht ka një shtim të ofertës për valutë nga turistët dhe emigrantët, euro të zhvlerësohet më tej, duke zbritur edhe në 132 lekë.