613 kg kokainë është rezultati i operacionit ‘Last Snow’ të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Portin e Durrësit.

Si asnjëherë më parë, sasia rekord e sekuestruar nga policia ishte fryt i një bashkëpunimi të mirë mes policia shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtar, të cilët kishin sinjalizuar për drogën.

Për të dhënë më shumë detaje dhe për rëndësinë e operacionit, kanë qenë Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj që kanë dalë në konferencë për mediat.

Veliu ka bërë me dije se kontejneri ishte nisur nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri një javë më parë.

Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.

Kokaina ishte e fshehur në kontejneri me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane, ndërsa policia ka pritur derisa ajo të dalë nga dogana për të kryer operacionin tek magazina e firmës që e kishte porositur.

Në pranga, lidhur me sasinë rekord të kokainës, janë vënë Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i firmës “Arbri Garden”, Arbër Çekajn.

Deklarata e Ardi Veliut:

Kapet sasi rekord kokaine në Portin e Durrësit, me vlerë tregu rreth 180 milion euro

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve  të siguruara më herët dhe analizës së riskut, pas një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snow”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro.

Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.

Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane.

Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç.

Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.

Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.

Nga tërësia e veprimeve të kryera, rezultuan të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë:

– Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë;

– Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.

Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ndërkohë po vijon puna për evidentimin e pasurive të të arrestuarve dhe të përfshirëve në këtë trafik narkotikësh.

Policia e Shtetit është e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo paligjshmëri dhe aktivitet kriminal, për të ndërtuar një Shqipëri më të qetë e të sigurtë.

VERITAS.COM.AL/