Nuk janë të paktë personat që vijojnë të shkelin masat e marra nga qeveria për të luftuar koronavirusin. Policia ka bërë të ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë gjobitur 629 qytetarë, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur me këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Policia është duke përdorur ditët e fundit edhe dronët për të ndërgjegjësuar dhe për të evidentuar qytetarët që janë në shkelje të rregullave dhe përdorimi i tyre e ka rritur ndjeshëm kapjen e shkelësve të masave.
Janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 5 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 7 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.
Po ashtu, janë ndëshkuar edhe disa drejtues mjetesh që janë kapur duke drejtuar automjetet në gjendje të alkoolizuar.