Ngjarjet me të rënda kriminale të një dekade nga vitit 2011 deri në vitin 2022, nga 18 dosje janë bashkuar në një dosje të vetme! SPAK ka goditur 8 grupe të rrezikshme të strukturave kriminale, të cilat ishin të pozicionuara kryesisht në Tiranë, 3 grupe, në Elbasan, 4 grupe dhe në Durrës, 1 grup. Këto grupe kriminale paguanin shumë të mëdha parash për vrasjen e personave, të cilat i konsideronin si kundërshtarë. Arrestimi i Nuredin Dumanit dhe ‘ushtarit’ të tij Henrik Hoxhajt më 29 mars të vitit 2022, ka shërbyer për të zbërthyer dhe goditur 8 grupet kriminalet.

Deri tani SPAK ka lëshuar 32 urdhër arreste, ndërkohë që janë ekzekutuar 18 prej tyre, dhe 14 emra, ngë më të rrezikshmit të botës së krimit janë ende në kërkim.

SPAK ka bërë arrestimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, vrasje, krim të organizuar, trafik droge, rrëmbim e shantazhe.

18 është numri i masave të ekzekutuara nga operacioni i SPAK. Konkretisht janë arrestuar: Nuredin Dumani; Henrik Hoxha; Ardian Uzuni; Altin Ndoci; Skerdi Tasi; Leonard Palushi, efektiv policie; Fatos Gosa; Erion Alibej; Gentajan Sharra; Florenc Cekrezi; Elvis Koci; Ilirjan Feci; Petrit Qoli,; Agron Qoli; Agron Qafa; Hasan Plaku; Besjan Xhixha dhe Enver Diva.

Pas 6 muajve hetime nga SPAK, janë 32 masa arresti lëshuar nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, që forcat e policisë, përfshirë RENEA-n dhe FNSH kanë dalë në terren për t’i zbatuar.

Personat më të kërkuar që SPAK kërkon të prangosë janë Talo Çela, i cili u lokalizua me anë të përgjimeve, por nuk u arrit të arrestohet, Suel Çela, Florenc Çapja i cili ndodhet në Dubai, Ervis Martinaj, Kamer Mehja, Fatos Goga, etj.

Në kërkim si pjesë e një grupi kriminal është edhe avokati Alban Bengasi për të cilin burimet nga prokuroria thonë se në bashkëpunim me grupet kriminale ka manipuluar provat për dy vrasje, duke dashur të bëjë fajtorë persona të tjerë që nuk kishin lidhje. Po ashtu, si pasojë e konflikteve që kishte me ish-bashkëshorten, avokati dyshohet të ketë kërkuar djegien e makinës që ajo përdore.