Kishin ardhur për pushime në Shqipëri, por kjo e diel ka rezultuar tragjike për dy pushues nga Maqedonia e Veriut dhe një tjetër nga Kosova. Në plazhin e Spillesë në Kavajë dallgët i morën jetën dy pushuesve nga Maqedonia e Veriut, të identifikuar si Cvetko Mitanovsi 78 vjeç dhe Mirko Miçevski 79 vjeç. Të moshuarit, ndonëse nuk dinin not, u futën në det për t’u larë, por për shkak të detit të trazuar, nuk mundën të dilnin dot në breg.
Agust Hoxha, Instruktor i Federatës së Vrojtuesve, në një lidhje telefonike për ‘Report Tv”, tha se dy të moshuarit ishin futur për t’u larë në një plazh publik, pa vrojtues. Megjithatë, vrojtuesit e subjekteve private i shkuan në ndihmë, duke i nxjerrë në breg dhe më pa si dhanë ndihmën e parë, por dy pushuesit nuk arritën të mbijetonin.
Ndërkohë, më herët, një pushues nga Kosova humbi jetën në plazhin e Velipojës. 59-vjeçari Hasan Hysenaj u fut në det për t’u larë, por nuk doli i gjallë nga uji. Nuk dihet nëse ai ka pësuar ndonjë komplikacion shëndetësor teksa ishte në ujë, apo nëse është mbytur për shkak të detit të trazuar. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Bilanci i pushuesve që kanë humbur jetën në det, fatkeqësisht edhe këtë sezon veror ka qenë tragjik. Kujtojmë se një ngjarje tjetër tragjike u regjistrua disa ditë më parë edhe në plazhin e Gjirit të Lalzit, ku u mbyt 22-vjeçari Arjan Sallaku. I riu u mbyt më 17 gusht, ndërsa trupi i tij u gjet 2 ditë më pas.