Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Frendo u bën thirrje besimtarëve që të premten e ardhshme të luten dhe të agjërojnë për zgjidhje paqësore të situatën kritike, siç e cilëson ai, të krizës politike të krijuar në vend.

Duke iu drejtuar politikanëve, Imzot Frendo, apelon që të gjejnë rrugën e duhur për zgjidhjen e kësaj krize, duke pasur parasysh të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë ose të mirës vetiake, dhe duke ndjekur rrugën e dialogut

“Fatkeqësisht, zërat tanë kanë mbetur si një zë në shkretëtirë dhe po ecim drejt vetëvrasjes së kombit, i cili po përballon probleme që duhet të merren shumë seriozisht, siç është, për shembull, largimi i shumë të rinjve dhe familjeve nga atdheu i tyre. Kjo është varfëria më e madhe që po përjeton vendi ynë sot”, shprehet ai në thirrjen drejtuar besimtarëve, duke shtuar “Nxis të gjithë besimtarët e dioqezës sonë që të premten e ardhshme ta mbajnë si ditë agjërimi dhe lutjeje për një zgjidhje paqësore për vendin tonë”.

“Në Shkrimin Shenjt lexojmë shumë herë se në periudha dhe situata të vështira, populli i Hyjit në Besëlidhjen e Vjetër (domethënë para ardhjes së Jezu Krishtit), por edhe pas ardhjes së Zotit Jezus, besimtarët i janë drejtuar Hyjit me lutje dhe agjërim.

I frymëzuar nga këto mësime nxis të gjithë besimtarët e dioqezës sonë që të premten e ardhshme ta mbajnë si ditë agjërimi dhe lutjeje për një zgjidhje paqësore për vendin tonë”, thekson Arqipeshkvi katolik.

Veritas.com.al/