Kryetari i PS Edi Rama ka bërë një deklaratë të fortë paraditen e kësaj të enjteje, teksa është duke folur në Asamblenë e Partisë Socialiste. Rama ka “gozhduar” Prokurorinë Speciale duke thënë se atij dhe njerëzve u është sosur durimi duke pritur që peshqit e mëdhenj të dalin para drejtësisë.
Për herë të parë Edi Rama përmendi dhe presidentin Ilir Meta. Duke kërkuar që ai dhe ish-kryeministri Sali Berisha të përballen me SPAK. Sipas kryetarit të PS, ata nuk do të lënë dy gurë bashkë atë që ai e quajti “vënie përfund e drejtësisë”.
“Çështja e non-gratës së madhe nuk është e Amerikës, por i Shqipërisë. Nuk është problem i Amerikës por i Shqipërisë. Sfida që kush e sheh atë dhe të verbërit që i shkojnë pas nuk është kundër Amerikës, kush e shesh kështu gabon. Është sfidë kundër drejtësisë.
Nëse në këtë vend non-grata e madhe, ai i dyti atje që është i pari në fakt që SPAK funksionon si sahat zviceran për të kapur Ardian Dvoranin, nuk shkojnë përpara drejtësisë ky nuk është problem i SHBA, por i Shqipërisë së të nesërmes. Po ju them sot atyre që se dinë, kjo do jetë kënga e re që do të fillojë”, shtoi Rama.
Pjesë nga fjala e kryetarit të PS Edi Rama:
Dhe nëse nuk do të isha ende në prite që SPAK të bëj një punë më të mëdha dhe të vendos një rend prioritetesh mbase do isha unë që do bëja denoncimin sot, por nuk kam sesi tja shtoj SPAK punët në drejtim të kësaj familje politike kur shoh që balanca jo në aspekt politik por në të drejtën është ende shumë e shtrembëruar.
Në Kongres solla shembullin e arkës së peshkut. A e dini ju që SPAK-u ka pasur shpejtësinë e rrufeshme dhe gatishmërinë që të bllokojë Ardian Dvoranin, njeriun e vlerësuar nga Sekretari i Shtetit si një ndër kampionët në luftën globale kundër korrupsionit, që të mos e lejonte të hynte në proces për t’u promovuar si gjykatës. SPAK-u në mënyrë të rrufeshme, a thua si ishte i kronometruar me atë zotërinë që për pak ditë do largohet nga zyra e Presidentit.
Gjë të cilën më pas procesi gjyqësor e çmontoi dhe shfryu si fluskë sapuni. Po nëse ky sahat zvicerian do ishte i pakonkurueshëm në precizionin e tij, sa gjykatës e prokurorë të nxjerr jashtë nga vettingu do ishin sot në burg. U bë kohë që peshkaqenët e sistemit të drejtësisë vettingu i ka flakur jashtë sistemit. Po ku janë ata sot? Ata janë në punën e tyre asnjë gjëmbë në këmbë nuk u ka hyrë.
Kampioni i antikorrupsionit, me vulë dhe firmë të Sekretarit Amerikan të Shtetit është futur në hetim nga SPAK. Në hetim për çfarë? Për një denoncim të kujt? Për një denoncim të atij, që jo unë por gjithë Shqipëria mezi pret ta shohë para SPAK-ut. Ilir Metës.
Me një lehtësi të hatashme SPAK-u shkon e bën sahatin zviceran me Ardian Dvoranin që sot e gjithë ditën jeton në një apartament të para viteve ’90. Ndërkohë ata që i kanë të rreshtuara apartamentet, njërin ma fali vjehrra, njërin kunati, një baxhanaku, këta janë sot e gjithë ditën për të pritur finalen e Champions League, siç ka dalë në të kaluarën dhe kush ua ka paguar udhëtimet.
Për të mos folur për këtë non-gratën e madhe që e kemi në mes të sheshit, bashkë me shpurën e tij që na thonë se nuk ulen me ne po nuk ua dhamë atyre presidencën. Siç thoshte një plakë rome që unë e kisha shumë përzemër kur isha i vogël: një ta mbash e një ta çash.
Çështja e non-gratës së madhe nuk është e Amerikës, por i Shqipërisë. Nuk është problem i Amerikës por i Shqipërisë. Sfida që kush e sheh atë dhe të verbërit që i shkojnë pas nuk është kundër Amerikës, kush e shesh kështu gabon. Është sfidë kundër drejtësisë.
Nëse në këtë vend non-grata e madhe, ai i dyti atje që është i pari në fakt që SPAK funksionon si sahat zviceran për të kapur Ardian Dvoranin, nuk shkojnë përpara drejtësisë ky nuk është problem i SHBA, por i Shqipërisë së të nesërmes. Po ju them sot atyre që se dinë, kjo do jetë kënga e re që do të fillojë.
Ia përsëris SPAK-ut: keni për të hetuar për këdoqoftë që i përket kësaj bashkësie politike, bujrum hetojeni, por realisht po hynin në kohën shtesë të ndeshjes me të keqen në këtë vend. Deri tani e keqja kualifikohet dhe ju skualifikoheni. Kualifikimi i të keqes nuk është se disa do ja hedhin pa u lagur, por e keqja do ua vërë përfund këtë vend.
PS nuk do lërë dy gurë bashkë që këtë vënie përfund nuk do ta lejojë. Ne kemi mbajtur një qëndrim të paimagjinueshëm para se të angazhoheshim me Reformën në Drejtësi. Jemi vetëpërmbajtur deri tani ku nuk mban më përballë kësaj tallje të madhe. Se kjo është tallje. Shumë tallje e madhe.
Është realisht tallje e madhe që SPAK-u deri tani përdor vetëm një lloj grepi, vetëm për një lloj peshku. Madje pa e pasur problem fare të gjuajë cironka me dinamit. Nuk e përdor dinamitin për peshkaqen që ngrysen duke nxjerr llum nga goja. Durimi ynë po soset. I imi po njëherë. Po edhe i juaji.
SPAK-u dhe të gjithë ata që janë të interesuar të bëjnë drejtësi, duhet të kujtohen që ne nuk e kemi humbur gojën, por fakti që s’kemi folur dhe e kemi përdorur gjuhën për të mbështetur çdo veprim, edhe ai i arkës së peshkut, kemi shtrënguar dhembët dhe nuk kemi folur.
Zonja dhe zotërinj të SPAK-ut zgjidhini dhe i dilni në mbrojtje Shqipërisë. Shqipëria sot është e turpëruar para një non-grate, një të vdekuri që i bën karshillëk këtij populli dhe tër dynjasë. Këtë duhet ta mbaj SPAK-u dhe askush tjetër. Kush e ka lexuar mandatën e Sekretarit të Shtetit, e ka të qartë se u takon institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
Revolta ime nuk është se po na ofendohet Amerika, jo, fare, është se po sfidohet drejtësia. Po delegjitimohet SPAK-u dhe gjithë sistemi i ri i drejtësisë që ka ngatërruar detyrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit me detyrat e Prokurorisë Speciale. Ka ngatërruar detyrat e Prokurorisë Penale.