Përfaqësuesi i OSBE për lirinë e medias, Harlem Désir, publikoi sot një koment ligjor për hartimin e ligjit për mediat në Shqipëri, pas shumë konsultimeve në procesin e hartimit me përfaqësues të qeverisë muajt e fundit.
Analiza nga Dr. Joan Barata Mir, një ekspert i pavarur i lirisë së medias, nënvizon përmirësime të dukshme krahasuar me versionet e mëparshme që gjithashtu ishin rishikuar dhe ndarë me autoritetet në janar dhe qershor të këtij viti.
Përfaqësuesi nënvizoi: “Është e nevojshme që legjislacionet e ardhshme të respektojnë standardet ndërkombëtare dhe angazhimin e OSBE-së në lirinë e shprehjes dhe që të mos ndikojë negativisht në lirinë e medias në vend”.
“Zyra ime ka qenë e përfshirë në një proces të gjatë konsultimesh gjatë hartimit të këtij legjislacioni. Unë e vlerësoj bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet gjë e cila çoi në shumë përmirësime.”,- tha Dèsir.
“Megjithatë, përmirësime të mëtejshme të ligjit janë të nevojshme”, tha përfaqësuesi, duke shprehur dëshirën që kjo do të bëhet gjatë procesit parlamentar, informon dritare.net
Désir mirëpriti faktin që gjatë procesit të hartimit të ligjit ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike nuk janë të detyruar të regjistrohen që të kryejnë aktivitetet e tyre.
Ai theksoi që “Autoriteti i mediave Audiovizive (AMA), rregullatori i medias audiovizive nuk duhet të jetë zëvendësues për mekanizmin e pavarur vetërregullator në çështjet e lirisë së shprehjes,” duke shtuar që kjo gjithashtu vlen për përmbajtjet e bllokuara, gjobat për shkelje ligjore dhe për modalitetet për të drejtën për të kthyer përgjigje.
Analiza ligjore thotë se rregullimi i versioneve elektronike të medias së shkruar, dhe më gjerësisht ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike” nuk duhet të jenë njësoj si shërbimet mediatike audiovizive. Rekomandohet të përjashtohen të mësipërmet nga qëllimi i hartimit të këtij ligji.
Përfaqësuesi kujtoi se bllokimi ose pezullimi i publikimeve online konsiderohet një masë ekstreme vis-a-vis në lirinë e shprehjes dhe ndaj pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e dhunimeve shumë serioze të të drejtave të njeriut ose të parimeve të demokracisë, ose në rast kur masa të tjera nuk mund të aplikohen.
Përfaqësuesi theksoi që kompetencat e AMA-s drejt “bllokimit ose limitimit të përkohshëm në internet” mund të aplikohen vetëm në tre raste specifike të shprehura në ligj: pornografi me fëmijë; inkurajimi i veprimeve terroriste; dhe shkelje të sigurisë kombëtare dhe atëherë kur masa të tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke konsideruar ekzistencën e një risku të pashmangshëm.
Përfaqësuesi gjithashtu theksoi që “duhet të merren masa dhe të rishikohen mekanizmat përpara se gjyqësori të bëhet si roje për publikuesit ose qytetarët. Në rrethana të tjera, me masa të mëdha duhet të merret sistemi i drejtësisë kriminale. Kompetencat e AMA-s nuk duhet të shkojnë deri në raste të tilla si për shembull shpifja”.
Gjithashtu, rishikimi ligjor rekomandon të qartësohet procesi i vendimmarrjes së AMA me autoritetet kombëtare të certifikimit elektronik dhe sigurisë kibernetike, NAECES, dhe APEC.
“Zyra ime është e gatshme të vazhdojë të japë asistencë për këtë ligj të rëndësishëm. Është me rëndësi maksimale që procesi i konsultimit me publikun të jetë i hapur dhe përfshirës për profesionistët e medias, organizatat e gazetarëve dhe përfaqësues të tjerë që kanë lidhje me mediat vendase dhe ndërkombëtare,” e mbylli fjalën e tij përfaqësuesi.