Leart Skiro/ Veritas.com.al/
Më në fund, në shkollat e vendit sapo u shpërnda një shkresë qeveritare që urdhëron heqjen e çdo simboli që bezdis Erdoganin e Turqisë. Lapsi.al njoftoi se posedon kopjen e shkresës. Qeveria shqiptare i bindet pikë për pikë vullnetit të presidentit të një shteti tjetër.
Edhe pse ishte folur kaq shumë se Rexhep Taip Erdogan, presidenti autokrat i Turqisë, po i shtrinte duart këndej nga Ballkani për të plotësuar “hartën otomane”, nuk mund të besohej aq shpejt. Grushti i shtetit, që vetë presidenti Turk stisi mbi aeroportin e Stambollit, u dëgjua si një kambanë alarmi se një plan i stilit të vjetër po kurdisej. Ndodhi që Erdogan, i mësuar me teknikat e vjetra të mbajtjes së pushtetit, me rastin e grushtit të shtetit zbuloi “armiqtë” që do të përdorte për realizimin e qëllimit të tij.
Armiku kryesor i autokratit të Turqisë u shpall një ish- mik i tij, Gylen, që aktualisht jeton në Amerikë, i larguar për shkak të frikës nga Erdogan. Edhe pse Gylen është i pabesueshëm se “mund të rrëzojë pushtetin e Erdogan”, ky i fundit e mban si “hero shumë të madh” të të keqes së tij. Sigurisht e amplifikon qëllimisht që ta përdorë.
Urdhri që u dha në shkollat shqiptare lidhet pikërisht me emrin e Gylen. Ambasada e Turqisë, në emër të presidentit të vet, i ka shkruar letër qeverisë shqiptare ku i kërkon që “të hiqen nga shkollat të gjitha simbolet e Gylen”. Qeveria e Turqisë e di se Gylen ka investuar në zhvillimin e arsimit dhe ndërtimin e shkollave në shumë vende të botës, por edhe në Shqipëri. Shkresa e ardhur nga ambasada turke nuk përcakton në cilat shkolla “duhet ndërhyrë”, por kërkon që në shkolla të hiqen simbolet Gyleniste.
Ministria e Arsimit, me një shkresë përcjellëse të firmosur nga sekretari i Përgjithshëm Plaurant Ndreca, ua ka dërguar kërkesën e ambasadës të gjitha institucioneve arsimore jo-publike.
Në përcjellësen e tij thuhet:
“Në ministrinë e arsimit dhe Sportit është paraqitur shkresa me nr 11395 prot., datë 29.09.2016 e Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me kërkesën e ambasadës turke në Tiranë për të ndaluar përdorimin e emërtimeve “turke” dhe simboleve Kombëtare të Republikës së Turqisë, përfshirë flamurin turk, në godinat e institucioneve arsimore jopublike…
Qëllimi i qeverisë turke është “pastrimi shkollave” nga çdo shenjë turke, me qëllim që të zhvlerësohet emri i Gylen- investitor. Sipas një investigimi të kryer nga Televizioni “ABC News”, ambasada ka shpërndarë edhe një listë me emrat e shkollave që do të mbyllen- sipas urdhrit nga Turqia.
Shkollat që kërkon të mbyllë Turqia, janë : Medresetë në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë, Elbasan, Berat dhe Korçë. Kolegjet turke në Shqipëri, si kopshti “Mehmet Akif”, shkollat fillore dhe te mesme, për djem dhe për vajza. Kolegji “Hasan Riza Pasha” në Shkodër si dhe Kolegjet “Turgut Ozal” në Tiranë dhe Durrës. Kolegji Gulistan, Instituti i Edukimit Gulistan si fondacion, qendra e kurseve me emrin “Meridian”. Fonadacioni i edukimit “SEMA”. Shkolla në gjuhën angleze, “Memorial Internacional School of Tirana”.Universitetet “Bedër” dhe “EPOKA”. Qendrat kulturore, “Horizontet e Reja” dhe “Drita Islame”. Shtëpia botuese Prizmi dhe agjencia informative ALBEU, Banka e nivelit të dytë “UBA bank” që kryen aktivitetin në Shqipëri
Kërkesa turke për “pushtimin” turk të shkollave të vendit, nën moton e influencave të imamit Gylen, çuditërisht bëhet në një ministri të “qeverisur” nga personalitete me përkatësi fetare katolike, duke u nisur nga Ministri, zëvendës- ministri, sekretari i Përgjithshëm…